Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pritjet përballë realitetit për kandidatin e AAK-së për kryetar të Junikut, Agron Kuçi

Kandidati për kryetar të Junikut nga radhët e AAK-së, Agron Kuçi, ka thënë se ka qenë shume i sigurt që në rundin e parë të zgjedhjeve lokale do të fitonte 57 për qind të votave.

“Kam qenë shumë i sigurt që në rundin e parë do të fitoja me 57%”, thuhet në përgjigjen e tij për KALLXO.com kur është pyetur për rezultatin zgjedhor.

Sipas rezultateve preliminare, Juniku do të shkojë në balotazh.

Të dhënat e KQZ-së tregojnë se nga të gjitha votat e numëruara, Agron Kuçi nga AAK ka siguruar 47,26 për qind te votave, ndërsa Ruzhdi Shehu nga LDK ka 37,87 për qind.

Kuçi në një përgjigje për KALLXO.com ka theksuar se ende nuk ka diskutuar me ndonjë parti tjetër politike për koalicion të mundshëm pas rezultatit zgjedhor të se dielës.

“Nuk kam diskutuar për këtë temë deri më tani”, është përgjigjur ai.

Kuçi thotë se është shumë i sigurt që do ta fitojë Junikun në rundin e dytë te zgjedhjeve që do të mbahen më 14 nëntor.

Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga ueb faqja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri më tani 21 komuna do të shkojnë në balotazh, ndërsa në 17 është përcaktuar fituesi më 17 tetor.