Gjykata e Apelit, Prishtinë | Foto: Kallxo.com
Apeli ia ashpërson dënimin të dënuarit për aksidentin në të cilin vdiqën dy persona
Kastriot Prenrecajt, i cili është i akuzuar për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, Gjykata e Apelit sot ia ka ashpërsuar dënimin nga 5 vjet e 6 muaj burg në 7 vjet burg.
Prenrecaj akuzohet se në qershor të vitit 2022 ka shkaktuar aksident trafiku me fatalitet, në të cilin kanë humbur jetën dy persona e një person tjetër është akoma në trajtim në QKUK.
Sipas vendimit të siguruar nga KALLXO.com, Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesën e përfaqësuesve të palëve të dëmtuara ndaj vendimit të Gjykatës së Gjakovës.
Gjykata e Gjakovës me aktgjykimin e goditur të datës 29 nëntor të vitit 2022, e kishte dënuar të akuzuarin me 5 vjet e 6 muaj burgim, ku i është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim.
Ankesën në Apel e kanë parashtruar avokati Korab Bokshi, përfaqësuesi ligjor i palës së dëmtuar, Gëzim Gjini dhe avokati Meshari Selimaj që përfaqëson palën e dëmtuar, Naim Sahiti.
Të njëjtit kanë kërkuar që aktgjykimi i shkallës së parë të ndryshohet në mënyrë që i akuzuari të rëndohet me dënim më të ashpër.
Ankesë ka bërë edhe Agron Kuçi, avokati mbrojtës i të akuzuarit, i cili kishte kërkuar nga Gjykata e shkallës së dytë që të marrë parasysh rrethanat lehtësuese të rastit dhe të konsiderojë një dënim më të butë për të mbrojturin e tij.
Mirëpo me aktgjykim, Apeli e ka refuzuar këtë kërkesë si të pabazuar.
Gjykata e Apelit i ka ashpërsuar të akuzuarit edhe dënimin plotësues, me ç’rast atij do t’i merret patenta e shoferit për 4 vjet, e jo 3 vjet siç e kishte përcaktuar Gjykata themelore.
Sipas dosjes së Prokurorisë, i akuzuari me automjetin e tij duke bërë kthim të pasigurt nga ana e djathë në të majtë, i ka marrë përparësinë e lëvizjes ambulancës me ç’rast ka shkaktuar aksidentin. Nga goditja me ambulancë, makina e të akuzuarit është rrokullisur dhe kështu ka goditur edhe një veturë tjetër, e si pasojë e kësaj kanë vdekur S.Gj. dhe M.S.