Ilustrim | Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Prishtinë, vdes personi që u rrëzua në vendin e punës

Një person ka mbetur i vdekur si pasojë e plagëve të marra pas rrëzimit nga një lartësi në vendin e punës në Prishtinë.

Viktima ka vdekur mbrëmë rreth orës 21:35 në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku ishte duke marrë trajtim.

“Lidhur me rastin, rreth orës 21:35 nga QKUK është raportu se viktima i cili ka qenë në trajtim mjekësor, ka vdekur. Trupi i pajetë me vendim të prokurorit është dërguar për obduksion”- tha zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti.

Në lidhje me rastin dje është arrestuar një i dyshuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, ka konfirmuar Ahmeti.

KALLXO.com ka provuar të kontaktoj dhe me QKUK dhe është në pritje të përgjigjes.