Prishtinë, sekuestrohen mallra që nuk u dihet prejardhja dhe të falsifikuara

Policia e Kosovës, përkatësisht Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike, ka kryer sot një aksion në një biznes në Prishtinë, me ç’rast janë bastisur tri lokacione, ku janë gjetur dhe sekuestruar një sasi e konsiderueshme e mallrave, të cilat dyshohet se janë pa origjinë, dhe disa produkte të falsifikuara.

Policia tha se ka pranuar informata relevante se një subjekt biznesor, i cili operon në kryeqytet, bën shitjen e produkteve të ndryshme me shumicë si suplemente të ndryshme, shamponë, mjaltë për përdorime të ndryshme për potencë (kamagra etj.), të cilat produkte dyshohet se janë pa origjinë të prejardhjes, disa produkte të falsifikuara dhe dyshohet për ndërrim të afatit të skadencës së produkteve.

“Sot me datë 05.12.2023 hetuesit nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike në bashkëveprim me Inspektoratin e Tregut nga Ministria e Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, kanë ndërmarr veprime në teren lidhur me informatën e lartcekur. Gjatë këtij operacioni është kryer kontroll në subjektin biznesor të dyshuar në tri (3) lokacione në Prishtinë”- thuhet në njoftim.

Policia njofton se gjatë kontrollimit të biznesit është hasur sasi e konsiderueshme e mallrave për të cilat pronari nuk ka mundur të prezantojë dokumentet e origjinës.

Në këtë rast, Policia thekson se Dogana e Kosovës ka sekuestruar sasi të konsiderueshme të mallrave, të dyshuara si të kontrabanduara, ndërsa Inspektorati i Tregut ka bërë bllombimin e depos deri në përfundim të rastit nga Dogana e Kosovës.

Një person me inicialet G.T. është intervistuar si person i dyshuar për veprat penale – kontrabandim i mallrave, dhe – shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore.

Lidhur me këtë rast është njoftuar prokurori kompetent nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe me rekomandimin e tij në këtë fazë personi i dyshuar është liruar në procedurë të rregullt.

Në komunikatë bëhet e ditur se operacioni është në proces nga Policia e Kosovës, Dogana e Kosovës, inspektorët sanitarë dhe zyrtarët e tjerë të përfshirë në rast lidhur me kontrollimin e këtij subjekti biznesor.