Prishtinë, ngasësi i autobusit dyshohet se kanosi me armë shoferin e një veture

Ngasësi i një autobusi në Prishtinë po dyshohet se pas një mosmarrëveshje me një ngasës të një veture e ka kanosur atë me armë, sot pasdite.

Rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti.

Policia ka sekuestruar një armë zjarri ndërsa ka shoqëruar palët në stacion policor.

“Sot rreth 17:30, kemi pranuar informatën për një rast kanosje, që ka ndodhë në rrugën ‘Rrahim Beqiri’ në Prishtinë. Bazuar në të dhënat fillestare, dyshohet se pas një mosmarrveshje në trafik, ngasësi i një autobusi, me armë zjarri ka kanosur palën tjetër (ngasësin e një veture). Lidhur me këtë rast, është sekuestruar një armë zjarri dhe në stacion policor janë shoqëruar palët e përfshira”- tha Ahmeti për KALLXO.com.

Zëdhënësja e Policisë theksoi se organet e rendit janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë karakterizuar rastin.