Foto: Policia e Kosovës

Prishtinë, arrestohen dy të dyshuar për disa vepra penale, u konfiskohen armë zjarri

Dy persona të dyshuar për disa raste kriminale janë arrestuar nga Policia në Prishtinë.

Sipas njoftimit, të njëjtit dyshohen për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm, mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës, ​detyrim, dhe zjarrvënie.

Të dyshuarve u janë sekuestruar armë zjarri, fishekë e gëzhoja.

Rastet kanë ndodhur në periudha të ndryshme kohore të këtij viti, ndërkohë që ndërmarrja e veprimeve hetimore ka rezultuar me identifikimin si dhe arrestimin e të dyshuarve, S. Z. 53-vjeç dhe E. Z. 26-vjeç.

Policia ka njoftuar se operacioni është përcjellë edhe me bastisjen e katër lokacioneve të ndryshme, tri në komunën e Malishevës, dhe një në komunën e Prishtinës.

“Në cilësinë e provës materiale, janë gjetur dhe sekuestruar; një armë të gjatë të tipit, M-48, një revole të tipit TT, e kalibri 7.62mm, 6 fishekë të kalibrit 7.62mm, 32 fishekë të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, si dhe 42 gëzhoja të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm”- ka njoftuar Policia.

Gjatë bastisjeve, Policia ka konfiskuar edhe një automjet të tipit pick-up, që dyshohet të jetë shfrytëzuar nga të dyshuarit gjatë kryerjes së veprave, thuhet në njoftim.

Të dyshuarit, pas arrestimit u dërguan në qendrën e mbajtjes prej 48 orësh, si vijimësi e fazave të mëtejme të procesit hetimor.