Vjosa Osmani - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Presidentja tregon kush po i organizon sulmet ndaj Policisë në veri të Kosovës

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se sulmet ndaj Policisë së Kosovës në Zubin Potok janë të organizuara nga Serbia me qëllim të destabilizimit të vendit.

“Informatat që ne i kemi tregojnë për një involvim të vazhdueshëm të shtetit serb, me qëllim destabilizimi, natyrisht ne ato i ndajmë edhe me partnerët tanë, ka edhe nga ana e tyre rritje të strukturave të sigurisë”, tha ajo.

Presidentja Osmani në emisionin “Kallxo Përnime” theksoi që këto struktura janë të lidhur me zyrtarë të shtetit serb.

“Natyrisht që neve na vijnë informata për lidhjet e drejtpërdrejta që ka Serbia dhe strukturat e saj, qofshin struktura zyrtare shtetërore, apo ilegale të cilat Serbia i shtynë dhe i financon vazhdimisht për të krijuar tensione”, tha ajo.

Osmani theksoi se Kosova është duke bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtarë për të mos lejuar destabilizimin e vendit.

“Tani ne po bashkëpunojmë edhe me partnerët ndërkombëtarë që të parandalohet destabilizimi i mëtejmë. Megjithatë kemi paralajmëruar edhe më herët, që synimi i  Serbisë e ndihmuar nga Rusia është që sidomos në veri të vendit të krijojë tensione të cilat pastaj mund të zgjerohen”, theksoi ajo.

Sipas Osmanit, e gjitha kjo po ndodh për shkak të interesave që ka Rusia.

“Është në interesin e Rusisë në këto momente që të zgjerojë konfliktin edhe në rajone të tjera të botës, për dy arsye: e para sepse në këtë mënyrë do ta mbante në tensione të gjithë kontinentin evropian dhe e dyta për shkak se dëshiron që vëmendjen e Perëndimit ta shpërndajë që të mos jetë e fokusuar në Ukrainë, pastaj të mos ketë ndihmë konkrete për Ukrainën”, tha ajo.

Mëngjesin e së premtes ka ndodhur një sulm me granatë dore dhe Kallashnikov ndaj disa policëve të Kosovës të cilët kanë qenë duke shkuar për të realizuar ndërrimin në pikat kufitare.

Brenda tri ditëve (13-15 prill) janë realizuar katër sulme të sinkronizuara në një territor ku sulmet kanë ndodhur shumë afër njëra-tjetrës.

Drejtori i policisë: Katër sulme brenda tri ditëve ndaj policisë në veri