Vjosa Osmani - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Presidentja Osmani shpreh keqardhje për refuzimin e ftesës nga Abdixhiku e Krasniqi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shprehur keqardhje për refuzimin e ftesës për takim nga kryetari  i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Osmani ka thirrur sot në takim krerët e partive opozitare për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit në vend.

Presidentja, mos pranimin e ftesës për takim nga Krasniqi dhe Abdixhiku e konsideroi si refuzim të mundësisë që ata të japin kontributin e tyre për çështje të intersit nacional.

Ndërsa theksoi se do të ketë derën e hapur për të gjithë liderët institucional në funksion të mbrojtjes së interesit shtetëror.

“Presidentja ka shprehur keqardhje që partitë e tjera opozitare kanë refuzuar mundësinë që ta japin kontributin e tyre për çështje të interesit nacional, përfshirë përpjekjet për fuqizimin e aleancave strategjike e ekzistenciale të Republikës së Kosovës me partnerët, e në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës… Sipas Presidentes Osmani, kontributi i secilit lider dhe subjekti politik është të bashkëpunojë për çështje të rëndësisë nacionale me institucionet shtetërore, por jo duke refuzuar”- thuhet në komunikatën e Presidencës.

Presidentja Osmani sot është takuar me kreun e Aleancës për Ardhmërinë  e Kosovës i cili iu përgjigj pozitivisht ftesës së saj.

Osmani tha se me Haradinajt kanë këmbyer pikëpamjet në raport me zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në vend.

Ajo ka deklaruar se fillimisht ka ftuar në takime të ndara krerët e institucioneve ndërsa ka paralajmëruar edhe ftesë për një takim të të gjithë liderëve.

“Në letrën e saj, Presidentja ka vlerësuar se bashkëpunimi dhe dialogu i hapur ndërmjet institucioneve dhe partive politike janë thelbësore për t’i përballuar sfidat aktuale dhe për të punuar së bashku drejt arritjes së synimeve të përbashkëta që përfshijnë mbrojtjen e tërësisë territoriale, sovranitetit dhe kushtetutshmërisë si dhe fuqizimin ndërkombëtar të Republikës, sikurse edhe në përmbushjen e prioritetit tonë shtetëror, anëtarësimin në NATO dhe BE”- thuhet në deklaratën e Presidencës.

Haradinaj deklarohet pas takimit me presidenten Osmani

Memli Krasniqi refuzon ftesën e presidentes Osmani për takim