Memli Krasniqi refuzon ftesën e presidentes Osmani për takim

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka refuzuar ftesën e presidentes Vjosa Osmani për tu takuar sot në ora 15:00 për të diskutuar rreth zhvillimeve të fundit në vend.

Në letrat të cilat i publikoi Krasniqi, shihet që dje, më 21 qershor 2023, presidentja Osmani ka ftuar në takim liderin e PDK-së për t’u takuar rreth zhvillimeve të fundit.

Ftesa, siç është në letrën e presidentes drejtuar kreut të PDK-së thuhet se ka ardhur pas një kërkesë të kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.

“Gjatë këtyre ditëve të vështira për Kosovën, me indinjatë kam vërejtur se Presidentja ka qëndruar e heshtur dhe ka neglizhuar obligimin e saj kushtetues për të garantuar unitetin qytetar, për të ruajtur marrëdhëniet me partnerët strategjikë ndërkombëtarë dhe për të vepruar si institucion mbi palët” – thuhet në një reagim të kryetarit të PDK-së.

“Prandaj, duke u nisur nga këto, por edhe arsye të tjera që i kam shtjelluar në letrën e përgjigjes sime, e kam parë të udhës që ta refuzoj pjesëmarrjen në këtë takim” – thuhet në njoftimin e Memli Krasniqit.

Në përgjigjen e kryetarit të PDK-së është përmendur edhe, siç thuhet, “heshtja” e presidentes Osmani, si Komandante Supreme, për përjashtimin e FSK-së nga stërvitja ushtarake e NATO-s, “Defender Europe ‘23”.

Ky është reagimi i plotë i Memeli Krasniqit në Facebook: