Ramush Haradinaj

Haradinaj deklarohet pas takimit me presidenten Osmani

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka përfunduar takimin me presidenten, Vjosa Osmani.

Haradinaj tha se në këtë takim ka shprehur shqetësimet e tij për zhvillimet lidhur me siç i ka quajtuar ai “ndëshkimet” e Kosovës dhe humbjen e besimit nga partnerët ndërkombëtar pas situatës në veri.

Ai theksoi se ka kërkuar nga Presidentja që krahas mandatit të saj të veprojë ndaj këtyre zhvillimeve dhe të deskaloj situatën në veri.

“Biseda ishte e hapur, unë i shpreha shqetësimet e mia për situatën në veri dhe humbjen e besimit të partnerëve tanë e ndëshkimet si dhe vështirësitë që do t`i kemi nëse nuk dali nga kjo gjendje. Unë i kërkova presidentes që të veprojë me mandatin e saj dhe me kompetencat që i ka që të kthej besimin me aleatët tonë që të ndalen ndëshkimet dhe të ndodhë deskalim i situatës e t`i kthehemi dialogut dhe të arriturave të tij. AAK i ka përkrah marrëveshjet e arritura edhe pse në kuadër të tyre ka obligime të dhimbshme. Ne jemi të vetëdijshëm se ruajtja e shtetësisë është e pamundur pa aleatët e tonë”- tha ai pas takimit.

Kreu i AAK-së vlerëson se situata në të cilën është Kosova është mjaft e vështirë dhe se për këtë ka dërguar letër për takim tek krerët e institucioneve shtetërore, katër ditë më parë.

“Është takimi i parë i imi me presidenten që nga koha kur ajo është zgjedhur. Para katër ditësh kam kërkuar një letër të presidentja, kryeministri dhe krye parlamentari dhe dy kolegët e mi opozitar që t`i diskutojmë së bashku temat dhe zhvillimet e fundit në këtë kohë që unë që unë vlerësoj mjaft të vështirë”-tha ai.

Thirrjes për takim me Presidenten, Vjosa Osmani e refuzuan dy krerët e tjerë të partive opozitare, Lumir Abdixhiku, LDK dhe Memli Krasniqi, PDK.

Memli Krasniqi refuzon ftesën e presidentes Osmani për takim