Vjosa Osmani, Foto: Facebook

Presidentja Osmani me mesazh për zgjedhjet e së dielës: Vota juaj është mjeti më i fuqishëm për të vendosur për të ardhmen e komunës suaj

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka ftuar qytetarët e katër komunave në veri të vendit që të marrin pjesë në zgjedhjet e 23 prillit.

Përmes një deklarate për media, shefja e shtetit tha se pjesëmarrja në zgjedhje e qytetarëve do të thotë jetë më e mirë për ta.

“Pjesëmarrja juaj në zgjedhje do të thotë jetë më të mirë për të gjithë ju. Prandaj shfrytëzojeni këtë të drejtë në këtë moment të rëndësishëm për demokracinë. Vota juaj është mjeti më i fuqishëm për të vendosur për të ardhmen e komunës suaj dhe për t’i mbajtur përgjegjës zyrtarët e zgjedhur” – thuhet në deklarimin e Osmanit një ditë para zgjedhjeve në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok.

A para e shtetit foli edhe për presionet, që sipas saj, janë bërë ndaj qytetarëve serb në atë zonë. Por, Osmani tha se institucionet e vendit po bëjnë të gjitha përgatitjet që procesi i nesërm zgjedhor të shkoj më së miri.

“E kuptoj që shumë prej jush keni qenë cak i kërcënimeve dhe frikësimeve që janë bërë javët e fundit nga struktura kriminale me mbështetje të Beogradit, me qëllim që t’ju detyrojnë të hiqni dorë nga zëri dhe fuqia juaj për ta formësuar të ardhmen e komunave tuaja. Megjithatë, dua t’ju siguroj se të gjitha institucionet e Kosovës po bëjnë gjithçka për të siguruar që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme dhe që siguria juaj të jetë e garantuar” – tha presidentja, Vjosa Osmani.

“Prandaj, ju bëj thirrje që të refuzoni ata që vijnë te ju me kërcënime dhe shantazhe. Ju inkurajoj që ta dërgoni një mesazh të fortë dhe të qartë me pjesëmarrjen tuaj në zgjedhjet lokale të 23 prillit 2023. Sigurohuni që zëri juaj të dëgjohet këtë të diel, nëpërmjet votës së lirë e demokratike. Mbi të gjitha, pjesëmarrja juaj në zgjedhje do t’u dërgojë një mesazh të fortë atyre që kërkojnë t’ju frikësojnë dhe shtypin, se nuk do të mund t’ju heshtin dhe se zyrtarët e zgjedhur nga ju do t’ju shërbejnë juve dhe interesit të të gjithë qytetarëve të komunës” – thuhet tutje në deklarimin e Osmanit.

BE bën thirrje për përmbajtje gjatë zgjedhjeve në veri