Presidentja Osmani: Anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare të zbatimit të ligjit është jetik

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka mbajtur sot fjalimin vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Gjatë këtij fjalimi Osmani tha se anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare të zbatimit të ligjit është jetik.

“Kundërshtuesit e këtij procesi duhet ta kuptojnë se kundërshtimi ndaj anëtarësimit të Kosovës është i barabartë për mbështetjen për organizata kriminale transnacionale”, tha Osmani.

Sipas Osmanit, Kosova ka treguar vendosmërinë për ta luftuar krimin e organizuar dhe sipas Osmanit do të vazhdoj ta bëjë në gjithë territorin kurdo që vlerësojnë se jeta e qytetarëve po rrezikohet për shkak të aktiviteteve kriminale.

“Aksionet e policisë në çdo cep të vendit tonë janë të pa shmangshme për të mbrojtur jetën dhe dinjitetin e shtetasve tanë. Policia jonë nuk i targeton etnitë por celulat e krimit. E në luftimin e krimit të gjithë duhet të jemi të pa kompromis. Mbrojtja e shtetit nga kërcënimet e brendshme, rajonale dhe globale nuk është vetëm e nevojshme por është detyrim i shenjtë i çdo burri dhe çdo gruaje që i shërben shtetit”, tha Osmani.

Osmani shtoi se krimi i organizuar dhe korrupsioni shkojnë dorë për dore ashtu si dhe pastrimi i parave, terrorizmi, trafikimi i armëve, narkotikëve e veçanërisht trafikimi i njerëzve.

“Policia e Kosovës sot gëzon besimin dhe respektin e qytetarëve nga qe e luftojnë krimin dhe i mbrojnë njerëzit dhe lagjet dhe familjet e tona. E krahas kësaj agjencitë e zbatimit të ligjit vazhdojnë të luajnë rol kritik të në sigurinë tonë kombëtare”, tha presidentja.

Gjatë fjalimit të saj, ajo foli edhe për raportet Kosovë-Serbi si dhe dialogun ndërmjet dy vendeve.

Osmani është shprehur se Serbia ka për qëllim të destabilizojë shtetet tjera të rajonit duke përfshirë edhe Kosovën.

“Rajoni ynë ka nevojë për intensifikim, të vëmendjes Amerika dhe Evropiane, në mënyrë që të natyralizohet ndikimi agresor Ruso-Serb në Ballkan”, ka thënë Osmani.

Ndërsa sa i përket Dialogut, Presidentja Osmani tha se ai nuk mund të ketë sukses nëse nuk nxjerrim mësime nga gabimet e së kaluarës.

“Dialogu nuk është, e as nuk do të lejojmë asnjëherë që të shndërrohet për dialog për statusin, territorin, për funksionalitetin e brendshëm, dhe për rendin kushtetues të vendit tonë”, ka thënë Osmani para deputetëve.

Ndërkaq Osmani tha se së shpejti do të publikojë të gjitha shpenzimet zyrtare të presidencës që nga marrja e mandatit por edhe të viteve paraprake.

Ajo theksoi se shpenzimet që ajo ka bërë janë shumëfishë më të vogla krahasuar me presidentët tjerë.

“Presidenca është shpallur si institucioni më transparent por ne do ta çojmë në një nivel tjetër këtë transparencë. Do të publikojmë të gjitha shpenzimet zyrtare të presidencës, por edhe të viteve paraprake në të cilat do të dëshmohet që shpenzimet tona janë më të vogla, ndërsa puna është shumëfish më e madhe”, tha ajo.

Osmani e cila është edhe komandantja supreme e Forcave të Sigurisë së Kosovës tha se emërimi i komandantit Bashkim Jashari do t’i bëjë nder dhe do të shtyjë përpara FSK-në.

“Këtë vit për herë të parë FSK së bashku me ushtrinë amerikane kanë zbritur në mision paqeruajtës jashtë vendit duke ri dëshmuar orientimin tonë strategjik. Ushtria jonë është e gatshme që të jetë pjesë edhe e misioneve të tjera jashtë vendit. Së fundi kam emëruar, gjenerallejtënant, Bashkim Jashari komandant të FSK-së i cili sjell me vetë përvojën shumë vjeçare si dhe i bënë nder FSK-së duke mbrojtur namin dhe trashëgiminë e familjes së lavdishme Jashari dhe UÇK-së”, tha ajo.

Osmani theksoi se duhet  të rriten dënimet minimale kundër dhunuesve.

“Viktimat e dhunës në familje përjetojnë akte të vazhdueshme të terrorit, jo vetëm njëherë, prandaj edhe niveli i dënimeve aktuale minimale duhet të rriten” ka thënë Osmani.

Ajo ka thënë se dështimi për mbrojte nga dhuna është  njeri ndër dështimet më të mëdha në historinë e shoqërisë sonë.

Osmani ka thënë se gratë dhe vajzat sikurse edhe çdo qytetarë tjetër do ta kenë vendin e merituar dhe të kenë të drejta të garantuara për një jetë të dinjiteteshme e dhe mundësi të barabarta.