Vjosa Osmani, Glauk Konjufca dhe Albin Kurti

Presidentja, kryeministri e kryeparlamentari jashtë vendit, Kosova mbeti sërish pa 'zot shpie'

Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryekuvendari Glauk Konjufca e kanë lënë sot Kosovën pa njërin prej tre udhëheqësve kryesorë shtetërorë.

Kështu, duke shkuar të tre jashtë, ata kanë shkelur Protokollin Shtetëror, i cili parasheh që vizitat e tre udhëheqësve shtetërorë (presidentes, kryeministrit dhe kryeparlamentarit) jashtë vendit duhet të bashkërendohen në mënyrë që të mos jenë të tre njëkohësisht jashtë Kosovës.

E sot gjatë ditës, sipas agjendave të tyre të cilat janë bërë publike, edhe presidentja, edhe kryeministri, edhe kryetari i Kuvendit kanë qenë jashtë Kosovës.

Presidentja Osmani ka udhëtuar të hënën për një vizitë zyrtare në Kroaci me ftesë të homologut të saj kroat, Zoran Millanoviq, me ç’rast sot është pritur me nderimet më të larta shtetërore.

Sipas një komunikate për media, Osmani e ka njoftuar homologun kroat mbi sulmin terrorist dhe “aktin e agresionit të Serbisë kundër Kosovës, koordinimin me aleatët dhe prezencën ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë, teksa ka diskutuar edhe për thellimin e bashkëpunimit me qëllim të tejkalimit të sfidave të sigurisë”.

Kryeministri Kurti udhëtoi të dielën për në Mbretërinë e Bashkuar për të marrë pjesë në Konferencën Vjetore të Partisë Laburiste, e cila u mbajt sot në Liverpool.

“Kryeministri i  Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar për në Mbretërinë e Bashkuar ku do të marrë pjesë në Konferencën Vjetore të Partisë Laburiste, e cila mbahet në Liverpool. Përgjatë punimeve të kësaj konference, krahas fjalimeve, ai do zhvillojë takime me përfaqësues të lartë të kësaj partie si dhe përfaqësues të partive simotra nga shtete të ndryshme, që do të marrin pjesë në konferencë”- thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Kurse, kryeparlamentari Konjufca është në Gjermani dhe sot ka takuar presidenten e Bundestagut, Bärbel Bas.

“Në frymën e raporteve të ngushta mes vendeve tona aleate dhe mike, diskutuam për çështje të rëndësishme, me orientim në kahjen që partneritetin tonë të ngushtë e të palëkundur nëpër vite ta thellojmë edhe më tej në drejtim të zhvillimit të interesave dhe synimeve tona të përbashkëta”- ka bërë të ditur Konjufca në rrjetin social Facebook.

Njohësi i protokollit, Tomorr Avdija, në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se vizita e tre zyrtarëve të lartë të shtetit jashtë vendit duhen të jenë të koordinuara, në bazë të Ligjit të Protokollit të Shtetit.

Sipas tij, ky nuk është rasti i parë që tre liderët shtetërorë kanë lënë vendin.

“Kjo ka ndodhur nga të gjitha qeveritë që nga viti 2008”- thekson Avdija.

Avdija thotë se vizita e presidentes Osmani është agjendë e cila hartohet shumë më herët dhe nuk mund të ndryshohet.

Ndërsa vizita e kryeministrit Kurti në Mbretrinë e Bashkuar, siç shprehet njohësi, ka një peshë shumë të rëndesishme, në kohën që po kalon Kosova.

“Kurse vizita e kryeministrit Kurti në Mbretërinë e Bashkuar ka një peshë shumë të rëndësishme, në kohën që po kalon Kosova dhe mbështetja që na duhet në këtë periudhë nga ky vend”- deklaroi ai.

Avdija vlerëson se në raste të tilla, kur ka agjenda të konfirmuara, mund të ishte bërë një zhvendosje ose shtyrje e vizitës nga kryeparlamentari Glauk Konjufca.

“Ne situatën e ndjeshme që është vendi, duhet të bëhet kujdes dhe të mos përsëritën në të ardhmen, pasi mund të bëhet si model i keq”- theksoi ai për KALLXO.com.

Në Ligjin për Protokolli i Shtetit të Kosovës thuhet se Protokolli i Shtetit vihet në dijeni paraprakisht për çdo lëvizje të personaliteteve kryesore, Presidentit, Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit jashtë shtetit. Vizitat e krerëve bashkërendohen në mënyrë që të mos jenë të tre njëkohësisht jashtë vendit.

KALLXO.com ka kërkuar të marrë një përgjigje nga kabinetet e tre krerëve shtetërorë por edhe nga departamenti i Protokollit Shtetëror për çështjen e vizitave, por deri në publikimin e këtij teksti, asnjëra palë nuk është përgjigjur.

Liderët e shtetit nuk i kishin koordinuar vizitat e tyre as në nëntor të vitit 2022.

Në kohë tensionesh në veri të vendit, të tre nuk ishin në Kosovë më 18 nëntor 2022.

KALLXO.com pati raportuar se Osmani në atë kohë ishte në Austri, Kurti në Estoni ndërsa Konjufca në Gjermani.

Situata në Kosovë u tensionua pasi në mëngjesin e 24 shtatorit 2023, pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua pas një sulmi nga një grup terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Organet e rendit zyrtarisht kanë konfirmuar se tre pjesëtarë të grupit terrorist janë vrarë, trupat e të cilëve iu dorëzuan më 30 shtator 2023 familjarëve të tyre, pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga organet kompetente.

Për tri ditë më radhë, arsenal i armëve, vetura, sasi e madhe e municionit e pajisje të tjera që dyshohet se i përkisnin grupit terrorist, janë sekuestruar në Banjskë të Zveçanit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vlera e armatimit ushtarak kalon shifrën 5 milionë euro.

Më 29 shtator 2023, Millan Radoiçiq, përmes një letre të cilën e ka lexuar avokati i tij, Goran Petronijeviq, e ka konfirmuar pjesëmarrjen dhe e ka marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.

Gjykata në Beograd e ka liruar Millan Radoiçiqin nga mbajtja, një ditë pasi u ndalua nga autoritetet serbe.

Sipas vendimit të Gjykatës, në të njëjtën kohë, i është caktuar masa e ndalimit të largimit nga vendbanimi dhe iu është ndaluar nga territori i Serbisë pa aprovim nga Gjykata. Gjithashtu, Radoiçiqit iu është ndalohet edhe ardhja në Kosovë.