Kryeminstri i Kosovës Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca – Foto: Vjosa Osmani/ Facebook

Kosova 'pa zot shpie', të tre liderët shtetërorë jashtë vendit

Të tre krerët shtetëror, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca nuk janë në Kosovë më 18 nëntor.

Dy të parët janë në vizita zyrtare jashtë shtetit, ndërsa Konjufca në një aktivitet të partisë në Gjermani.

Kryeministri Kurti dje ka udhëtuar për Estoni, presidentja Osmani në Austri e kryepalamentari Glauk Konjufca në Gjermani, për të marrë pjesë në një aktivitet të Lëvizjes Vetëvendosje.

Për vizitën në Estoni të kryeministrit Kurti, zyra për media e qeverisë ka lëshuar dje njoftim, presidentja Osmani ka ndarë fotografi nga vizita e saj në Austri, ndërsa nga institucioni i Kuvendit nuk ka ndonjë njoftim, përveç ati të LVV-së në Facebook.

KALLXO.com ka kërkuar të marrë një përgjigje nga shefi i kabinetit të Konjufcës, Ilir Kërçeli për vizitën e kryetari të Kuvendit në Gjermani, por deri në publikimin e këtij teksti, ai nuk është përgjigjur.

Duke marrë parasysh situatën e cila gjendet në veri të vendit,

Njohësi i protokollit Tomorr Avdija në një prononcim për KALLXO.com tha se shkuarja e të 3 liderëve jashtë vendit në kohën e njëjtë, është gabim.

“Në shtete normale është e ndaluar, është e ndaluar që të tre krerët të udhëtojnë në të njëjtën kohë, njëri duhet të udhëtoj pas tjetrit, këto janë rregulla procedurale dhe protokollare, që njëri duhet të jetë në shtet. Duke marrë parasysh edhe situatën në veri. kjo pastaj është thyerje e dyfishtë, dhe duhet që njëri që është më pak e rëndësishme, të anulohet ajo vizitë, kështu është rregulli dhe ligji” – tha Avidja pwr KALLXO.com.

Edhe analisti politik, Arton Demhasaj e ka vlerësuar si të pamatur moskordinimin e agjendave të tre liderëve institucional.

“Është gabim dhe veprim i pamatur kjo që ka ndodhur, në kushte normale kur nuk ka krizë në vend, nuk ishte dashur të ndodhë kjo që tre liderët të udhëtojnë paralelisht jashtë vendit, e aq më pak tash kur situata në veri është e brishte dhe mund të ketë eskalim të situatës së sigurisë, është dashur të ketë koordinim të agjendave” – tha ai.

Në ligjin për Protokolli i Shtetit të Kosovës thuhet se Protokolli i shtetit vihet në dijeni paraprakisht për çdo lëvizje të personaliteteve kryesore, Presidentit, Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit jashtë shtetit. Vizitat bashkërendohen në mënyrë që të mos jenë të tre njëkohësisht jashtë vendit.