Foto: ZPRK

Presidentes Osmani i ndahet titulli 'Patroni i Kalasë' në Berat

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës shtetërore që po zhvillon në Shqipëri, ka vizituar qytetin e Beratit, me ç’rast kryetari i Bashkisë, Ervin Demo ia ka dhënë titullin “Patroni i Kalasë”, më i larti që e jep ky qytet.

Sipas një komunikate për media, në një ceremoni të organizuar, në të cilën morën pjesë edhe anëtarë të Këshillit Bashkiak, presidentja Osmani derisa ka pranuar titullin ka theksuar se ky nder që ia bën qyteti i Beratit e ngarkon gjithashtu me përgjegjësi për promovimin e Kalasë dhe trashëgimisë së Beratit, në përgjithësi.

“Titulli “Patroni i Kalasë”, bart në vete një përgjegjësi të madhe. Ai nënkupton jo vetëm një nder personal, por një angazhim për një kauzë më të madhe siç është mbrojtja e trashëgimisë sonë të përbashkët kulturore. Kalatë sikurse kjo e Beratit nuk janë thjesht vetëm ngrehina fizike, por traditë dhe krenari e bartur ndër shekuj” – ka deklaruar presidentja.

Sipas Osmanit, kalaja e Beratit është testament i brezave para nesh dhe një trashëgimi botërore që mbrohet nga UNESCO.

“Sikurse Shqipëria edhe Kosova ka trashëgimi të pasur kulturore, të denjë për UNESCO, organizatë në të cilën synojmë të anëtarësohemi, ndaj përvoja e Shqipërisë në këtë rrugëtim do të jetë mjaft e dobishme për ne” – është shprehur presidentja në ceremoninë e pranimit të titullit.

Osmani dje ka nisur vizitën e saj shtetërore në Shqipëri, ku fillimisht është takuar me homologun e saj, Bajram Begaj.

Ajo të hënën në një konferencë për media, deklaroi se Kosova ka nevojë për mbështetjen e fuqishme të Shqipërisë, sidomos që të jetë zë në të gjitha instancat ndërkombëtare ku Kosova ende nuk ka përfaqësim, duke shtuar se kryefjala e vizitës së saj, është strategjia dhe bashkërendimi i përbashkët me Shqipërinë për politikën e jashtme.

Presidenti Begaj garantoi mbështetjen e shtetit shqiptar, duke theksuar se askush nuk duhet të çuditet se përse Kosova është një prioritet kombëtar i Shqipërisë.

Pas vizitës me Begajn, Osmani u prit në objektin e Qeverisë së Shqipërisë, me ç’rast u prit në takim nga kryeministri, Edi Rama.

Përmes një njoftimi për media, Presidenca e Kosovës ka bërë të ditur se në takim liderët kanë diskutuar për aspekte të ndryshme, duke përfshirë rritjen e bashkëpunimin në politikën e jashtme partneritetin ekonomik dhe stabilitetin rajonal.