Foto: ZPRK

Osmani nga Tirana: Kryefjala e vizitës sime, strategjia dhe bashkërendimi i përbashkët me Shqipërinë për politikën e jashtme

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas takimit me homologun e saj shqiptar, Bajram Begaj, në një konferencë për media, ka folur për nevojën e rritjes së koordinimit të vazhdueshëm dhe paraprak  në politikën e jashtme në raport me interesat e të dy shteteve, por edhe të rajonit e me gjerë.

Osmani ka thënë se kombi shqiptar ka qenë dhe vazhdon të mbetet faktor stabiliteti në rajon, e me orientim të qartë euroatlantik.

“Kosova dhe Shqipëria kanë një lidhje unike historike, kulturore dhe kombëtare, lidhje kjo e fortë dhe e pathyeshme. Përballë sfidave, ne duhet të qëndrojmë të bashkuar, duke u fokusuar në qëllimin tonë madhor: integrimin e shteteve tona në familjen euroatlantike. Kombi shqiptar ka qenë dhe vazhdon të mbetet faktor stabiliteti në rajon, e me orientim të qartë euroatlantik”- u shpreh Osmani para gazetarëve.

Ajo tha se Kosova ka nevojë për mbështetjen e fuqishme të Shqipërisë, sidomos që të jetë zë në të gjitha instancat ndërkombëtare ku Kosova ende nuk ka përfaqësim.

“Siç kemi pasur nevojë edhe më parë sërish kemi nevojë për mbështetjen e fuqishme të Shqipërisë, sidomos që të jetë zëri ynë në të gjitha instancat ndërkombëtare ku Kosova ende nuk ka përfaqësim. Synim shtetëror e strategjik mbetet anëtarësimi në NATO e në BE si dhe në të cila organizatat tjera ndërkombëtare. Në këtë aspekt do falënderoj presidentin Begaj për angazhimin e tij aktiv që nga dita e parë në mandatin e tij në arenën ndërkombëtare duke kërkuar me zë të fuqishëm që Kosova të ketë vendin e merituar në çdo organizëm ndërkombëtar”- ka thënë Osmani.

“Kryefjala e vizitës sime është bashkërendimi për një strategji dhe veprim të unifikuar të politikës së jashtme”- theksoi ajo.

Në raport me zhvillimet politike dhe të sigurisë në vend, presidentja Osmani theksoi se Kosova, përkundër sfidimit të hapur në rrafshin e sigurisë dhe institucional nga Serbia, “ajo vazhdon të jetë e përkushtuar ndaj procesit të dialogut, si dy shtete të pavarura dhe fqinje”.

Sipas Osmanit rezultati përfundimtar i tij duhet të jetë njohja reciproke dhe ruajtja e integritetit territorial, sovranitetit, rendit kushtetues dhe funksionalitetit institucional të Republikës së Kosovës.

Presidenti Begaj në mbrëmje do të shtrojë darkë shtetërore për presidenten Osmani dhe delegacionin nga Kosova.

Tutje gjithashtu në një kominikatë për media thuhet se gjatë kësaj vizite, presidentja Osmani do të takohet edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Osmani pritet me ceremoni shtetërore në Shqipëri nga presidenti Bajram Begaj