Foto: ZRPK

Pas takimit me Osmanin, Rama: Për të tashmen dhe të ardhmen e marrëdhënies së patjetërsueshme Kosovë - Shqipëri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj në Shqipëri ka zhvilluar një takim me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.

Kryeministri Rama ka ndarë dy fotografi me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani.

“Me presidenten Vjosa Osmani, për të tashmen dhe të ardhmen e marrëdhënies së patjetërsueshme Kosovë-Shqipëri” – ka shkruar Rama në Facebook.

Përmes një njoftimi për media, Presidenca e Kosovës ka bërë të ditur se në takim liderët kanë diskutuar për aspekte të ndryshme, duke përfshirë rritjen e bashkëpunimin në politikën e jashtme partneritetin ekonomik dhe stabilitetin rajonal.

“Një bisedë përmbajtjesore rreth aspiratës së përbashkët evropiane të Kosovës dhe Shqipërisë. Duke punuar së bashku, Kosova dhe Shqipëria mund të hapin rrugën për një të ardhme më të ndritshme dhe më të integruar”- ka thënë Osmani sipas njoftimit.

Në njoftim bëhet e ditur se të dy liderët kanë shprehur përkushtimin për fuqizimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë si dhe për të punuar së bashku në përmbushjen e objektivave të përbashkëta, të cilët ndërlidhen me rrugëtimin euroatlantik.

“Në këtë kontekst, presidentja Osmani, theksoi është në interesin e të dy shteteve dhe atë rajonal që të ketë një koordinim të ndërsjellë në politikën e jashtme, në funksion të integrimit të të dy shteteve në familjen euroatlantike”- theksohet në njoftim.

Më tej, sa i përket procesit të dialogut me Serbinë, Osmani ka thënë se Kosova është palë konstruktive, teksa siç thuhet në kumtesë, ajo ka potencuar se njohja reciproke, ruajtja e integritetit territorial, sovranitetit, rendit kushtetues dhe funksionalitetit institucional të Kosovës duhet të jenë rezultati i këtij procesi.

Osmani dhe kryeministri Rama shprehën optimizmin e tyre për të ardhmen e marrëdhënieve Kosovë-Shqipëri dhe vunë theksin në potencialin për rritje të bashkëpunimit në fusha të ndryshme të interesit të dyanshëm.

Presidentja sot gjatë ditës ka zhvilluar një takim me homologun e saj, Bajram Begaj.

Presidenti Begaj në mbrëmje do të shtrojë darkë shtetërore për presidenten Osmani dhe delegacionin nga Kosova.

Osmani nga Tirana: Kryefjala e vizitës sime, strategjia dhe bashkërendimi i përbashkët me Shqipërinë për politikën e jashtme