Policia zbarkoi në zyret e Autoritetit të Aviacionit Civil
Në zyret e Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës ka zbarkuar sot Policia e Kosovës.
Kjo është konfirmuar për KALLXO.com nga Arianit Dobroshi, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të AAC-së, (SPAAC).
Ai ka thënë se ka pasur aksion të Policisë dhe se nuk mund të jap detaje më shumë për këtë aksion.
KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Policinë e Kosovës për këtë aksion, mirëpo nga Policia është thënë që të kontaktohet Prokuroria Speciale, e cila deri më tani nuk është përgjigjur.
Para pesë ditëve, më 23 gusht 2023 Drejtori i Autoritet të AAC-së, Bujar Ejupi ishte shkarkuar nga Qeveria e Kosovës në mbledhjen e ekzekutivit.
Hysen Durmishi, zëvendësministër i Infrastrukturës kishte thënë se janë disa shkelje që janë bërë nga Ejupi.
“Sot para jush paraqes vendimin për përfundimin e parakohshëm të mandatit të drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil, Bujar Ejupi” – tha Durmishi.
Tutje, ai ka listuar edhe disa prej arsyeve për shkarkimin e Bujar Ejupit.
“Mos aprovimi i raporteve të AAC-së nga ana e Kuvendit të Kosovës, raportimi i shkeljeve profesionale të z. Ejupi nga ana e bordit mbikëqyrës të AAC-së, raportimi me shumë gjetje, i Autoritetetit Mbikëqyrës të Islandës në emër të KFOR-it, raporti me 20 gjetje i ekspertëve austriakë të kontraktuar nga EAS-a si dhe një varg shkeljesh të ndryshme, paraqesin bazë të mjaftueshme për përfundimin e parakohshëm të mandatit të z. Bujar Ejupi nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të AAC-së” – tha Hysen Durmishi.
Buajr Ejupi ishte emëruar drejtor i Autoritetit të Aviacionit Civil në vitin 2020 nga Qeveria e Kosovës pas propozimit të ministrit të Infrastrukturës, Arban Abrashi.
Shkarkimi i Ejupit erdhi pas më shumë se një viti, prej që Bordi Mbikëqyrës i Autoritetit të Aviacionit Civil, i kërkoi Qeverisë dhe Kuvendit shkarkimin e tij, për shkak të disa shkeljeve të pretenduara.
Po ashtu, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës kishte anuluar vendimin Bujar Ejupit, për uljen në pozitë të Arianit Dobroshit.
Dobroshi ishte ulur nga pozita e “Zyrtar i lartë për bashkëpunim ndërkombëtar” në pozitën “Zyrtar për bashkëpunim ndërkombëtar” me vendim të drejtorit Ejupi.
Në anën tjetër, në fund të vitit 2022, Prokuroria e Prishtinës ka filluar të trajtojë rastin e emërimit të Bujar Ejupit në pozitën e drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC).
I njëjti rast fillimisht ishte trajtuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) pas informacioneve që kjo e fundit kishte pranuar nga një sinjalizues.