Bujar Ejupi - Foto: KALLXO.com

Shkarkohet Bujar Ejupi

Drejtori i Autoritet të Aviacionit Civil të Kosovës, Bujar Ejupi është shkarkuar sot nga Qeveria e Kosovës në mbledhjen e ekzekutivit.

Hysen Durmishi, zëvendësministër i Infrastrukturës tha se janë disa shkelje që janë bërë nga Ejupi.

“Sot para jush paraqes vendimin për përfundimin e parakohshëm të mandatit të drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil, Bujar Ejupi” – tha Durmishi.

Tutje, ai ka listuar edhe disa prej arsyeve për shkarkimin e Bujar Ejupit.

“Mos aprovimi i raporteve të AAC-së nga ana e Kuvendit të Kosovës, raportimi i shkeljeve profesionale të z. Ejupi nga ana e bordit mbikëqyrës të AAC-së, raportimi me shumë gjetje, i Autoritetetit Mbikëqyrës të Islandës në emër të KFOR-it, raporti me 20 gjetje i ekspertëve austriakë të kontraktuar nga EAS-a si dhe një varg shkeljesh të ndryshme, paraqesin bazë të mjaftueshme për përfundimin e parakohshëm të mandatit të z. Bujar Ejupi nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të AAC-së” – tha Hysen Durmishi.

 

Buajr Ejupi ishte emëruar drejtor i Autoritetit të Aviacionit Civil në vitin 2020 nga Qeveria e Kosovës pas propozimit të ministrit të Infrastrukturës, Arban Abrashi.

Shkarkimi i Ejupit erdhi pas më shumë se një viti, prej që Bordi Mbikëqyrës i Autoritetit të Aviacionit Civil, i kërkoi Qeverisë dhe Kuvendit shkarkimin e tij, për shkak të disa shkeljeve të pretenduara.

Po ashtu, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës kishte anuluar vendimin Bujar Ejupit, për uljen në pozitë të Arianit Dobroshit, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të AAC-së, (SPAAC).

Dobroshi ishte ulur nga pozita e “Zyrtar i lartë për bashkëpunim ndërkombëtar” në pozitën “Zyrtar për bashkëpunim ndërkombëtar” me vendim të drejtorit Ejupi.

Në anën tjetër, në fund të vitit 2022, Prokuroria e Prishtinës ka filluar të trajtojë rastin e emërimit të Bujar Ejupit në pozitën e drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC).

I njëjti rast fillimisht ishte trajtuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) pas informacioneve që kjo e fundit kishte pranuar nga një sinjalizues.

Prokuroria po e heton zgjedhjen e Bujar Ejupit në postin e drejtorit të AAC-së