Foto; KALLXO.com

Policia tregon përse nuk po i publikon fotografitë e të dyshuarve për dhunim e 11-vjeçares

Policia e Kosovës deri tani nuk i ka publikuar fotot as të dhënat e të dyshuarve për dhunimin seksual që i është bërë një vajze 11-vjeçare nga pesë persona në Prishtinë.

Në lidhje me këtë KALLXO.com ka kontaktuar zëdhënësin e Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

“Besoj i dini procedurat se kush e lejon publikimin e të dhënave”- ka qenë përgjigjja e Kelanit.

“Lexojeni ligjin pak dhe tregon qartë se kush e ka të drejtën e dhënies së urdhëresës për publikimin e të dhënave” – ka shtuar zëdhënësi i Policisë.

Kelani ka thënë se publikimi i fotografive dhe i të dhënave të të dyshuarve bëhet vetëm me vendim të organeve të drejtësisë, duke lënë të kuptohet se Policia nuk ka marrë një vendim të tillë nga organet e drejtësisë.

“Çdo publikim që bëhet, bëhet me vendim të tyre” – ka vijuar ai.

Një grua ka raportuar në Policinë e Kosovës se vajza e saj 11-vjeçare, para dy ditëve është dhunuar në Prishtinë nga pesë persona të dyshuar.

Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur më 27 gusht, rreth orës 17:30 deri në 00:30.

Për këtë, Policia ka bërë të ditur se ka arrestuar dy persona të dyshuar për të cilët është thënë se pas intervistimit me vendim të prokurorit ata janë dërguar në mbajtje.

“Ankuesja ka raportuar se pesë persona të dyshuar kanë kryer veprën e lartcekur, dhunim, ndaj viktimës. Lidhur me rastin pas intervistimit viktima është dërguar në strehimore, ndërsa dy të dyshuar janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit të njëjtit janë dërguar në mbajtje” – ka thënë Policia.

Ndërkaq, nga Gjykata e Prishtinës ka njoftuar se ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të dyshuarve.

“Gjyqtarët e procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.R dhe të miturit G.R e kanë aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve iu kanë caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji për secilin veç e veç” – thuhet në njoftimin e Gjykatës.