Zyrtari i Policisë së Kosovës Foto: Naser Fejza/ KALLXO.com

Policia: Serbi që u arrestua sot në veri, i dyshuar për shumë vepra penale

Sreqko Sofronijeviq që u arrestua sot, më 13.04.2024 në Bërnjak po dyshohet për kryerjen e disa veprave penale, përfshirë “vrasje e rëndë në tentativë” , “sulm ndaj personit zyrtar”, “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës”, “thirrje për rezistencë, pjesëmarrje në turmë dhe huliganizëm”, “asgjësim apo dëmtim i pronës”, e të tjera.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, ai dyshohet se këto vepra i ka kryer gjatë vitit 2021.

“Sot me datën 13.04.2024 në Bërnjak, është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar (S. S. viti i lindjes1985), me vendbanim në Zveçan të Republikës së Kosovës” – ka njoftuar Policia.

Policia thotë se këto veprime të dyshimta kriminale “nuk janë protesta paqësore siç pretendohet e raportohet gabimisht”.

Ky njoftim i policisë vjen pas një reagimi që Lista Serbe e ka bërë sot, 13.04.2024, duke e quajtur atë “vazhdimësi të terrorit të regjimit në Prishtinë ndaj popullit serb”.

Kjo parti ka thënë se Sofronijeviq ishte qëlluar në shpinë dhe ishte plagosur rëndë nga Policia e Kosovës 13 tetor 2021. Kjo plagosje, sipas saj ka ndodhur “në afërsi të shtëpisë së tij familjare, teksa po përpiqej të strehonte dhe të mbronte një fëmijë nga zjarri i shpërthimit të forcave speciale të Kurtit”.

Sofronijeviqit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Sic thotë policia, të gjitha veprimet janë realizuar në koordinim me prokurorinë.

Policia e Kosovës ndalon një serb në veri për “shkelje të rendit kushtetues”