Prokuroria e Mitrovicës pret kërkesën e Policisë për bastisjet në rajonin e Mitrovicës

Policia e Kosovës kreu bastisje në disa Komuna të Kosovës, ku u mbyllën rreth 30 objekte të strukturave paralele, të mërkurën, më 15.01.2025.

Aksionet i zhvilluan në Komunën e Lipjanit, Obiliqit, Prishtinës, Fushë Kosovës, Vushtrrisë, Novobërdës, Kamenicës, Vitisë, Rahovecit dhe Skenderajt.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni tha për KALLXO.com se për bastisjet në objektet e strukturave paralele në rajonin e Mitrovicës, Prokuroria e Mitrovicës vetëm është informuar nga Policia, teksa kërkesë zyrtare nuk ka pasur.

Ai shtoi se kërkesa pritet të bëhet ndërkohë.

“Prokurori kujdestar vetëm është njoftuar nga Policia, por kërkesë nuk ka pasur. Pritet që kërkesa të bëhet e pastaj të vendoset më tutje.” – tha Preteni për KALLXO.com.

Po ashtu KALLXO.com mëson se Prokuroria e Prishtinës ka refuzuar kërkesën për bastisje në lokacionet e këtij rajoni dhe megjithëkëtë aksioni kishte vazhduar.

Burime të KALLXO.com bëjnë të ditur se Policia e Kosovës bëri kërkesë në Prokurori për të kryer bastisje – jo duke prezantuar kërkesë me shkrim, por kishin kërkuar urdhërin përmes telefonit.

Një gjë e tillë është refuzuar nga ana e kryeprokurorit të Prokurorisë së Prishtinës, Zejnullah Gashi.

Ndryshe, Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla njoftoi se në mëngjesin e së mërkurës janë mbyllur Komuna paralele të Serbisë, si dhe Posta e Zyra Tatimore në dhjetë Komuna të ndryshme të vendit.

Aksion i Policisë në katër Komuna