Foto arkiv

Policia ndalon vendosjen e banerit me fotografinë e Radoiçiqit në sheshin e Mitrovicës së Veriut

Baneri me mbishkrime serbe e me fotografinë e personit që mori përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë, Milan Radoiçiq, nuk u lejua të vendoset në sheshin e Mitrovicës së Veriut, sot më 06.01.2026.

Ndalimi u bë për shkak se nuk kishte leje nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal për një gjë të tillë.

Kështu konfirmoi për KALLXO.com, Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë- Veri të Policisë së Kosovës.

“Është tentuar, nuk kemi lejuar sepse nuk ka leje nga MAPL”- tha Elshani.

Millan Radoiçiq, i cili doli publikisht se i priu grupit që organizoi sulmin terrorist në Banjskë ka zënë vend në listën e personave të cilët kërkohen nga INTERPOL-i.

Kjo pasi që i njëjti dyshohet për vepra të ndryshme penale e që ndërlidhen edhe me terrorizëm.

Ndaj 45 personave – në krye të të cilëve qëndron ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq – është ngritur Aktakuzë më 11.09.2024 nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Sipas Aktakuzës mbi 45 të akuzuarit rëndojnë veprat penale për “terrorizëm”, “financim terrorizmi” dhe “shpëlarje e parasë”.

Kjo pasi të njëjtit akuzohen se më 24.09.2023 kanë kryer sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit, duke lënë të vrarë zyrtarin policor, Afrim Bunjakun.

Dosja e Prokurorisë që ka siguruar KALLXO.com tregon me iniciale se cilët janë 45 të akuzuarit, e se cili ishte qëllimi i tyre.

“Duke vepruar sipas përgatitjeve dhe planit të mirëorganizuar paraprakisht, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, kanë tentuar që të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht Komunat e banuara me Shumicë Serbe dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojnë Serbisë.” – thuhet në këtë Dosje.

Prokuroria ka thënë se si rezultat i dhunës së përdorur ka vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku dhe është rrezikuar jeta e zyrtarëve të tjerë policorë dhe popullatës civile.

Në grupin kriminal të strukturuar, të udhëhequr nga Radoiçiq, janë këta të akuzuar.

Milan Radoiqiq, Vladimir Radivojeviq, Ugljesha Jarediq, Milorad Jevtiq, Vlastimir Andriq, Aleksandar Milosavljeviq, Lazar Smigiq, Veljko Gjordjeviq, Vladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Milovan Krstoviq, Urosh Miliq, Trajko Vasiq, Danilo Vasiq, Vukashin Jarediq, Sasha Periq, Nemanja Stankoviq, Momçilo Vuckoviç, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviç, Marko Arsiç, Zharko Cvetkoviç, Krsto Damjanoviç, Stefan Milosavljeviç, Marko Saviç, Aleksandar Jevremoviç, Radosh Gvozdiç, Ivan Miliç, Gojko Zubaç, Nemanja Radivojeviq, Radak Adziq, Milosh Milenkoviq, Gjorgje Baloviq, Danijel Gjukiç, Danilo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Milosh Kragoviq, Miljan Nedeljkoviq, Nikola Iliq, Vladan Iliq, Radule steviq dhe personi juridik, “Rad D.O.O.”.

Ndërsa, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, po ashtu të akuzuar për “terrorizëm” janë në paraburgim që nga shtatori 2023.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj ka njoftuar më 11.09.2024 se kanë ngritur Aktakuzë për 45 persona, për rastin e sulmit në Banjskë të Zveçanit.