Konferenca e Policisë së Kosovës, 14 qershor 2023

Policia: Kidnapimi i tre policëve ndodhi në territorin e Republikës së Kosovës

Policia e Kosovës në një konferencë të jashtëzakonshme për media ka thënë se kidnapimi i tre zyrtarëve policorë patrullues ka ndodhur brenda territorit të Republikës së Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani mohoi se zyrtarët policorë të kenë qenë në territor të Serbisë, siç ka pretenduar pala serbe.

“Njësitet speciale të Serbisë në formë të organizuar kanë kidnapuar tre zyrtarë policorë patrullues. PK dëshiron të theksojë se njësia patrulluese ka qenë në pikë statike në Tresare/ Bare pra në territorin e Republikës së Kosovës” – tha Kelani.

Vendi ku kanë qëndruar tre zyrtarët policorë të Kosovës në veri, Foto: Policia e Kosovës

Policia e Kosovës ka konfirmuar se tre zyrtarë policorë kufitar patrullues janë siç thonë ata kidnapuar nga forcat serbe.

Policia e Kosovës (PK), në këtë rast njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë.

“Sot, në mesditë nga njësiti policor i cili ishte në përbërje prej tre zyrtarëve kufitar, kanë njoftuar se në afërsi të pikës statike kanë vërejtur person/a të maskuar dhe të armatosur, me këtë rast në drejtim të kësaj pike në asistencë janë nisur njësi shtesë të PK-së”- ka thënë Policia e Kosovës.