Ilustrim

Policia jep detaje për rastin ku një pacient ra nga lartësia e një reparti në QKUK

Një pacient dyshohet se është hedhur nga dritarja e Klinikës Torakale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës mëngjesin e ditës së djeshme.

Si pasojë e kësaj, ai nuk arriti t`u mbijetoj lëndimeve të marra dhe për të njëjtin dje është njoftuar se ka vdekur.

Kjo ngjarje, që ndodhi dje rreth orës 09:30, është duke u hetuar nga organet e rendit.

Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës është njoftuar se rasti është iniciuar si “Vetëvrasje”.

“Një burrë ka vdekur si pasojë e lëndimeve të pësuara pasi është hedhur nga dritarja, derisa ishte në mjekim në QKUK” – thuhet në njoftim.

Tutje është treguar se me vendim të prokurorit trupi i viktimës është dërguar për obduksion.

KALLXO.com ka kontaktuar dje edhe me Drejtorin e Klinikës Torakale në QKUK, Nazmi Kolgeci në lidhje me këtë rast.

Ai u shpreh se nga pacienti nuk ka pasur ndonjë ankesë në lidhje me ndonjë gjë por që Kolgeci shtoi se vuante nga disa sëmundje.

“Nuk kemi pasur asnjë ndonjë ankesë nga pacienti, as ankesa gojore as me shkrim. Ai ka pasur disa probleme shëndetësore. Nuk kemi pasur asnjë ankesë as nga familjarët gjithashtu nuk kemi vërejtur asnjë shprehi te ai” – kishte thënë Kolgeci për KALLXO.com.

Tutje drejtuesi i Klinikës torakale shtoi edhe se pacienti më 14 janar kishte kërkuar të lirohej nga spitali.

“Ai është pranuar më 28 dhjetor ka pasur një problem të rëndë shëndetësor. Mbrëmë pacienti ka kërkuar me shku në shtëpi, mjeku kujdestar e ka liruar. Në ora 8 e 10 ka ardhur në klinikë, është bërë vizita, menjëherë pas vizitës ka ndodhur rasti” – shtoi Kolgeci.

Drejtori Kolgeci tha se kërkon që rasti të zbardhet në tërësi dhe se pas ngjarjes ai vet ishte i pranishëm në klinikën që drejton për tu marrë me rastin e rëndë që u regjistrua sot.

QKUK gjate ditës së djeshme njoftoi në lidhje me rastin ndërsa shtoi se edhe pas intervenimit të stafit mjekësorë pacienti nuk arriti që të mbijetoj.