Liburn Aliu dhe Lulzim Hetemi

Policia jep detaje për gjuajtjen me ngjyrë që ndodhi në drejtim të ministrit Aliu në Leposaviq

Dy vetura, pronë e Policisë së Kosovës u gjuajtën me ngjyrë e vezë gjatë vizitës që pati dje ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu në Leposaviq.

Ai vizitoi kryetarin e këtij qyteti, Lulzim Hetemi, i cili tash e 17 ditë gjendet në këtë ndërtesën komunale, pranë së cilës po mbahen protesta nga qytetarët serb, të cilët po kundërshtojnë vendosjen e kryetarëve të rinj në objektet komunale në komunat veriore të Kosovës.

Me të filluar vizitën e tij, pranë ndërtesës së komunës u mblodhën qytetarët serb, e largimi i Aliut nga komuna me eskortë e me përcjellje të Policisë së Kosovës u shoqërua me ngjyrë e vezë.

Dy veturat e PK-së, pjesë e eskortës që përcollën Aliun, u sulmuan nga persona të panjohur.

Në lidhje me rastin është konsultuar edhe prokurori i shtetit, e ngjarja po vazhdon të hetohet tutje.

Ngjarja u cilësua si sulm dhe dëmtim apo asgjësim i pasurisë

Aliu pas vizitës pati edhe një falënderim për Hetemin.

“E falënderoj Kryetarin Lulzim Hetemi nga zemra për qëndresën e tij shembullore për Republikën e Kosovës” – ka thënë Aliu.

Aliu shtoi se me kryetarin biseduan për bashkëpunimin e ndërsjellë në realizimin e projekteve.

Për këto projekte Aliu tha se do të kontribuojnë në zhvillim ekonomik për të gjithë qytetarët, respektivisht për projekte infrastrukturore në komunë dhe se për të njëjtat projekte i ofruan mbështetje të parezervë.