
Ambulanc, Foto:Kallxo.com
Policia jep detaje për aksidentin ku u përshi ministri Peci
Shtatë persona kanë mbetur të lënduar pas përfshirjes së dy makinave në një aksident trafiku në rrugën Gjilan – Prishtinë, përkatësisht në aksin Llabjan – Artanë.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani për Kallxo.com ka thënë se dyshohet se makina me tabela 06 ku ishin 5 persona nuk respektoi të drejtën e përparësisë së kalimit.
“Rreth orës 16:30 në aksin rrugor Gjilan-Prishtinë saktësisht tek udhëkryqi i fshatit Llabjan -Novobërd njësiti i komunikacionit rrugor Gjilan ka pranuar një informatë për një aksident trafiku me lëndime. Dyshohet se aksidenti të ketë ndodhur kur vetura Pezho me tabela 06 (njësia një) në të cilën ishin pesë persona nuk respekton të drejtën e përparësisë së kalimit dhe ndeshet me njësinë dy (në të cilën ishin dy persona) e cila ishte duke qarkulluar në relacionin e kundërt, me ç’rast shkaktohet dëme materiale në të dy njësitë”- ka thënë Hashani.
Lëndime trupore kanë pësuar të gjithë personat që ndodheshin në të dy veturat.
Hashani tutje shtoi se të lënduarit e njësisë një (pesë persona) të gjithë kanë pranuar trajtim mjekësor në Spitalin e Graçanicës.
Gjersa, dy të lënduar të njësisë dy janë trajtuar në spitalin rajonal në Gjilan.
Lidhur me rastin është kontaktuar prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që rrethanat e aksidentit të hetohen nga njësiti hetues i aksidenteve të komunikacionit rrugor në Gjilan.
Kallxo.com më herët njoftoi se makina ku ndodhej Ministri i Bujqësisë Faton Peci ishte përfshirë në një aksident trafiku në rajon të Gjilanit.
Makina e ministrit Peci përfshihet në aksident trafiku, pëson lëndime të lehta