Makina e ministrit Peci përfshihet në aksident trafiku, pëson lëndime të lehta

Ministri i Bujqësisë Faton Peci ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme makina në të cilën gjendej është përfshirë në një aksident trafiku ku për pasojë pësoi lëndime të lehta.

Peci ka theksuar se makina me të cilën ishte në vizitë në teren u godit nga një makinë tjetër.

“Gjatë vizitave në teren sot vetura në të cilën ishim, u godit nga një veturë tjetër ku për shkak të kësaj, pësuam lëndime të lehta por pa pasoja serioze.  Ju falenderoj të gjithëve që keni shprehur shqetësim e kujdes ndaj meje dhe shoqëruesit tim”- ka bërë të ditur Peci.

Sipas të dhënave, aksidenti ka ndodhur në rajon të Gjilanit, derisa nga policia nuk janë dhënë ende detaje lidhur me rastin.