Policia: Gruaja e vrarë në Ferizaj, 21-vjeçare

Gruaja e vrarë të premten pasdite në Ferizaj, (12.04.2024) nga i dyshuari ish-bashkëshorti i saj ishte 21-vjeçare me inicialet E.C., ka konfirmuar Policia e Kosovës.

Policia më tej ka konfirmuar se i dyshuari me inicialet V.A është 36-vjeçar dhe vrasja ka ndodhur në katin e parë, brenda Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj.

KALLXO.com mëson se gruaja e vrarë është Erona Cokli, ndërsa i dyshuari Valon Aliu.

I dyshuari për vrasjen, fillimisht ishte larguar në drejtim të panjohur e më pas është arrestuar nga policia.

Përveç saj, në vendin e ngjarjes është plagosur edhe 15-vjeçari D.C., i cili është jashtë rrezikut për jetë.

KALLXO.com mëson se çifti ishin të ndarë dhe dyshohet se kanë pasur mosmarrëveshje.

“Ekipe të policisë, policët e rendit, hetuesit e stacionit, hetuesit rajonal të mbështetura edhe nga Njësia e Reagimit të Shpejtë (NJRSH) kanë identifikuar të dyshuarin V.A (M/K) i moshës 36 vjeçar dhe menjëherë kanë rrethuar zonën përreth dhe pas një pune intensive në terren , në orën 15:15 kanë arritur që të arrestojnë të dyshuarin e kësaj ngjarje dhe e kanë shoqëruar në Sektorin Rajonal të Hetimeve në Ferizaj, për procedura tjera hetimore” – njofton policia.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Spitalit të Ferizajt, Fikret Arifi konfirmoi për KALLXO.com se i plagosuri është vëllai i viktimës.

“Në spital ka ardhë vëllai i të ndjerës. I është dhënë ndihma e parë, është jashtë rrezikut për jetë se plumbi në parakahraun e djathtë, në dorë domethënë. I është largu plumbi, i është mobilizuar dora. Po planifikohet dërgimi i tij në Repartin e Ortopedisë në Ferizaj” – tha Arifi.

Ndërkaq, sipas tij gruaja ka qenë pa shenja jete në vendin e ngjarjes dhe nuk është dërguar fare në spital.

Sipas Arifit pasi që është marrë nga ekipi i Qendrës së Mjekësisë Familjare ajo është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për Obduksion.