Pakistani arreston 120 aktivistë të partisë së ish-kryeministrit Khan
Policia ka arrestuar 120 aktivistë të partisë kryesore opozitare të Pakistanit gjatë bastisjeve natën, kanë bërë të ditur zyrtarët e sigurisë, para protestave të planifikuara për të martën, kur shënohet dyvjetori i burgosjes së udhëheqësit të tyre, Imran Khan, raporton Reuters.
Shumica e arrestimeve të kryera të hënën në mbrëmje dhe herët të martën, janë bërë në qytetin lindor, Lahore, kanë thënë dy oficerë policie për Reutersin, derisa në këtë vend partia Tehreek-e-Insaf e Khanit kishte premtuar mbajtjen e demonstratës së saj më të madhe, si dhe protesta gjetiu.
Të paktën 200 aktivistë janë arrestuar në Lahore, ka thënë zëdhënësi i partisë Zulfikar Bukhari, duke shtuar se protesta megjithatë do të mbahet.
Lahore është kryeqyteti i provincës lindore të Punxhabit, rajoni më i rëndësishëm politikisht i vendit dhe shtëpia e gjysmës së popullsisë së saj.
Qeveria e Punxhabit dhe policia e provincës nuk u janë përgjigjur kërkesave për koment.
Në një deklaratë të hënën, policia ka njoftuar se kontingjente të mëdha policie po ofrojnë siguri në të gjitha qytetet kryesore të provincës.
Partia e Khanit gjithmonë ka shkaktuar “kaos”, ka theksuar Uzma Bukhari, zëdhënëse e qeverisë së provincës.
“Asnjë partie politike nuk mund t’i ndalohet politika në Pakistan, por një organizatë terroriste e maskuar si parti politike nuk lejohet të prishë qetësinë e Pakistanit”, ka shtuar Bukhari.
Në një mesazh që i atribuohet Khanit në llogarinë X të partisë, ai u bëri thirrje mbështetësve të “dalin dhe të mbajnë protesta paqësore derisa të rivendoset një demokraci e vërtetë në vend”.
Ish-ylli i kriketit u zgjodh kryeministër në vitin 2018, por, sapo mori detyrën, i prishi raportet me ushtrinë e fuqishme të Pakistanit dhe u rrëzua në vitin 2022 përmes mocionit të mosbesimit në parlament.
Arrestimi i tij në maj 2023 shkaktoi protesta kundër ushtrisë në të gjithë vendin, duke çuar në një fushatë represioni ndaj partisë.
Khan, i cili mohon çdo akuzë për keqpërdorime, i hedh poshtë si të motivuara politikisht dhjetëra raste kundër tij, duke filluar nga terrorizmi deri te zbulimi i sekreteve zyrtare.
Ai u dënua në janar në një rast korrupsioni, ndërsa u lirua nga akuzat e tjera ose u dënua me kusht.
Përpara thirrjes për protestë, qindra anëtarë të partisë së Khanit, përfshirë disa deputetë, u dënuan në fund të muajit të kaluar bazuar në akuza që lidheshin me protestat e vitit 2023 kundër arrestimit të tij.
Partia e Khan doli partia më e madhe në zgjedhjet e vitit 2024 dhe pretendon se manipulimi i rezultatit ia mohoi shumë mandate parlamentare.
Partitë e tjera u bashkuan për formimin e një qeverie nën kryeministrin Shehbaz Sharif, i cili mohon se ka ardhur në pushtet nëpërmjet mashtrimit zgjedhor.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com