Kamerat e trupit, donacion i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Policinë e Kosovës Foto: Policia e Kosovës

Policia e Kosovës bëhet me 250 kamera të trupit, donacion i Shteteve të Bashkuara

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhuruar Policisë së Kosovës 250 kamera të trupit dhe 113 sisteme kamerash të instaluara në automjete të Policisë.

Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, nënshkruan sot pranim-dorëzimin e donacionit.

“Teknologjia e kamerës së veshur në trup promovon sigurinë dhe është një mjet i fuqishëm dhe i besueshëm për mbledhjen e provave. Ajo regjistron video të paanshme dhe të padëmshme dhe ruan përfaqësimin faktik të ndërveprimeve oficer-dhe-qytetar” – tha Hovenier.

Ambasadori tha se SHBA ka investuar mbi 1.8 milion dollarë në këtë program, i pari i tillë në Kosovë.

“Policia e Kosovës (PK) në mbështetje dhe përkrahje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës vite më parë kishte filluar këtë pilot-projekt, ku fillimisht në bashkëpunim dhe koordinim edhe me institucionet relevante të RKS-së, janë bërë përgatitjen e dokumentacioneve të nevojshme dhe Procedurat Standarde të Operimit” – njoftoi Policia.

Faza testuese e përdorimit të kamerave të trupit kishte filluar më 7 korrik.

Drejtori Hoxha tha se Policia e Kosovës ka arritur progres në transformimin digjital dhe se realizimi i këtij projekti ka për qëllim rritjen e përgjegjësisë, transparencës, llogaridhënies, rritjes së besimit të qytetarëve në Polici, si dhe të argumentimit të aktiviteteve policore që kryhen gjatë detyrës zyrtare në terren.