Policia deklarohet për vdekjet e dyshimta brenda Klinikës Infektive

Gjashtë persona kanë vdekur në mëngjesin e hershëm të së dielës në Klinikën Infektive.

Burimet e KALLXO.com brenda policisë kanë thënë se dyshimet janë për mos funksionim të aparaturave për oksigjenoterapi.

Megjithatë, gjatë gjithë ditën, të dielën Policia e Kosovës nuk ka dhënë asnjë deklaratë në lidhje me këto vdekje në Klinikën Infektive.

Ndërsa sot, në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, thuhet se para dy ditëve,  rreth orës 01:00 pas mesnate në Klinikën Infektive në Prishtinë kanë vdekur gjashtë persona.

“Raportohet se në Kliniken Infektive në Prishtinë kanë vdekur gjashtë persona që të gjithë kosovar. Me vendim të prokurorit, trupat e pa jetë të viktimave dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore për Obduksion. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërsa, Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar se të gjithë pacientët e vdekur kanë qenë të konfirmuar përmes metodës standarde të aplikushme të dignostikimit me COVID-19 dhe kanë qenë në gjendje kritike duke u trajtuar në Klinikën Infektive.

PAMJE – Instituti i Mjekësisë Ligjore bartë trupat e pajetë nga Klinika e Infektivës