Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Podujeva në balotazh, reagon Bulliqi

Kryetari aktual i komunës së Podujevës dhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për të parin e kësaj komune, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se beteja për të fituar përballë kundër kandidatit nga Lidhja Demokratike e Kosovës do të vazhdojë në balotazh.

Përmes një reagimi në Facebook, Bulliqi ka vlerësuar procesin zgjedhor dhe daljen në votim të llapjanëve.

“Të dashur qytetarë, pas procesit të djeshëm zgjedhor, i cili u përcoll me një proces mjaft demokratik dhe pjesëmarrje të kënaqshme qytetare”, tha ai.

“Dëshiroj t’ju falënderojë dhe të shpreh mirënjohje të thellë për secilën votë që keni besuar për mua dhe Lëvizjen VETËVENDOSJE! në Podujevë në këto zgjedhje lokale. Po ashtu, shpreh mirënjohje e falenderim për secilin kontribut e angazhim të secilit qytetar, aktivist, anëtar e mbështetës të Lëvizjes që punuan parreshtur për këtë rezultat”, deklaroi kandidati për kryetar të Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

Në fund, ai tha se do të angazhohet për të fituar pas dy javësh kur do të mbahen votimet.

“Beteja nuk ka përfunduar, ne vazhdojmë me zemër plot vullnet për të fituar këtë betejë. Llapi nuk ka kohë për kthim prapa, e ardhmja jonë është e përbashkët. Bashkë do të fitojmë! Bashkë do të qeverisim!”, deklaroi Bulliqi.

Kur janë numëruar mbi 99 për qind e votave në Podujevë, Shpejtim Bulliqi ka grumbulluar 44 për qind të votave, apo 16 mijë e 338 vota ndërsa pak më shumë vota se ai ka kandidati i LDK-së, Ekrem Hyseni i cili deri më tani ka fituar 44.30 për qind apo 16 mijë e 451 vota.