Plakiqi nuk deklarohet për raportimet për keqpërdorime me Fondin për Sigurime Shëndetësore

Drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Fatmir Plakiqi nuk ka dashur të jep ndonjë deklaratë në lidhje me raportimet e mediave për keqpërdorime me këtë fond.

Në Komisionin parlamnetar për Shëndetësi, Plakiqi tha që përderisa organet e drejtësisë janë duke u marrë me rastin, nuk mund të komentojë ai.

“Nuk kam dëshirë të  prononcohem pasi doja që organet e hetuesisë të merren me këtë. Raporti për vitin 2021 jemi mundu që në kuadër të burimeve financiare të shtyjmë përpara proceset brenda kapaciteteve dhe të realizonim draft planin. Tema kyçe është trajtimi jashtë vendit, raporti i ZKA mund të vëreni se fondi ka marr vlerësim të pamodifikuar. Vlera e obligimeve të papaguara 1.6 milion euro”, tha ai.

Tutje Plakiqi tha që janë duke u barazuar transaksionet dhe do të ketë raporton për të gjitha të hollat që harxhohen për trajtim jashtë vendit.

“Ne jemi duke i barazu të gjitha transaksionet për pacientë prej vitit 2013. Ne kërkojmë raporte për secilin pacientë. Kemi barazu pagesa në 45 institucione shëndetësore.  Çdo cent i buxhetit do raportohet e pasqyrohet. Paratë duhet të kthehen nëse pacienti nuk është nënshtruar operimit”, tha ai.

Plakiqi tha që spitalet duhet të ofrojnë dëshmi për trajtimin e pacientëve jashtë vendit.

“Shumica e institucioneve janë vendore, ne jemi duke punu edhe me 48 institucione në Maqedoni dhe Turqi. Spitalet do ofrojnë dëshmi për çdo pacientë. Nuk e kemi asnjë vendim për pagesë të obligimeve edhe pse i kemi 2 milionë euro vlerë në fond që presin aprovim”, tha ai.

Sipas Plakiqit, kur ekzekutohet pagesa thirren pacientët të sjellë raportin shëndetësorë. Por, nuk ka mekanizëm detyrues që pacienti të sjellë dokument në fond.

Në media, ditë më parë janë raportuar dyshimet për keqpërdorime me trajtimin e pacientëve jashtë vendit.

Në fillim të këtij muaji, Qeveria e Kosovës ka emëruar bordin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.