Petkoviq: Kosova nuk mund të rishkruajë marrëveshjet e Brukselit
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për shkelje të marrëveshjeve në Bruksel, veçmas atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Përmes një njoftimi për media, Petkoviq tha se Kurti nisi vitin 2024 duke mohuar zotimet që Kosova ka marrë në Bruksel sa i përket Asociacionit.
Më 11 janari, Kurti deklaroi se Asociacioni nuk është prioriteti kryesor për normalizimin e raporteve me Serbinë, por Marrëveshja Bazë që palët arritën në shkurtin e vitit të kaluar, së bashku me Aneksin për zbatimin e saj një muaj më pas.
“Kurti as nuk mund të rishkruajë marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel 11 vjet më parë, zbatimi i së cilës garantohet nga Bashkimi Evropian, as nuk mund të shkruajë apo të flasë asnjë fjalë pa sulmuar Beogradit dhe serbët në Kosovë, sepse kjo është e vetmja gjë që ai di të bëjë”, tha Petkoviq, duke e akuzuar Kurtin se është “burimi kryesor” i paqëndrueshmërisë në Ballkanin Perëndimor.
Vitin e kaluar, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve për dhe Aneksin për zbatimin e saj. Pavarësisht trysnisë ndërkombëtare që palët ta zbatojnë marrëveshjen, blloku evropian ka thënë se ajo nuk po zbatohet.
Marrëveshja për normalizim, prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.
Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar vazhdimisht që dialogu për normalizimin e raporteve duhet të përmbyllet me njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013, dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik./REL