Ilustrim

Pesë të arrestuar nën dyshimet për shtytje në kryerjen e veprës terroriste

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar pesë persona të dyshuar për shtytje në kryerjen e veprës terroriste dhe për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Sipas një njoftimi zyrtar, arrestimi i të dyshuarve ka ndodhur sot në gjashtë lokacione të ndryshme në rajonin e Pejës, Prishtinës dhe Gjilanit.

Për arrestimin e të dyshuarve, Policia tha se ka kryer hetime disamujore e gjithashtu për rastin Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka lëshuar urdhëresës për kontroll.

Nga operacioni policor u njoftua se të arrestuar mbetën L. B., B. V., E. B., A. H. dhe A. S., ndaj të cilëve u njoftua se janë duke vijuar procedurat ligjore.

Policia po ashtu njoftoi se të dyshuar janë të njohur për PK-në, si të dyshuar për përfshirjen e tyre të mëparshme në disa vepra tjera penale në rajonin e Pejës.

Në njoftimin e Policisë u tha se në cilësinë e provave dhe dëshmive materiale janë sekuestruar tri revole, një armë automatike AK-47, një armë rekreative pneumatike dhe pajisje elektronike dhe dëshmi tjera relevante lidhur me rastin.

Po ashtu u tregua se me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Speciale, të dyshuarit ndalohen në ndalim policor, në kohëzgjatje prej 48 orëve.