Pesë raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit në Kosovë

Pesë raste të dhunës në familje janë raportuar në 24 orët e fundit në Policinë e Kosovës.

Rastet janë regjistruar në Suharekë, Gjakovë, Malishevë, Vushtrri dhe Mitrovicë.

Në Suharekë një burrë është arrestuar nën dyshimin se pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht babanë e tij.

Sipas Policisë ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 14:40 dhe viktima ka pranuar trajtim mjekësor.

Me vendim të prokurorit  i dyshuari  pas intervistimit është dërguar në mbajtje, ka njoftuar PK.

Një burrë në Gjakovë dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes dhe djalit.

Ngjarja ka ndodhur dje në rrugën “Beqir Kastrati” dhe sipas PK-së viktimave u është ofruar trajtim mjekësor.

“Bashkëshortja është vendosur në strehimore, ndërsa djali i cili është nga tjetër martesë është marr nga zyrtarët për punë sociale”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Në Malishevë një grua mbrëmë ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga motra e saj

Sipas Policisë palët kanë pranuar trajtim mjekësor.

Pas intervistimit me vendim të prokurorit, e dyshuara është arrestuar dhe dërguar në mbajtje, ka njoftuar PK.

Policia ka arrestuar një burrë në Vushtrri. I njëjti dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj djalit të tij.

Sipas Policisë i dyshuari me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Në Mitrovicë tri ditë më parë është arrestuar një grua, nën dyshimin se e njëjta është agresive ndaj bashkëshortit të saj dhe fëmijëve të tyre.

E dyshuara ka pranuar se është agresive dhe ka pranuar të marr trajtim psikiatrik, thuhet në njoftimin e PK-së.

Me vendim të prokurorit rasti vazhdon në procedurë të rregullt.