Përurohet Qendra e Mjekësisë Familjare në Veternik

Në lagjen Veternik të kryeqytetit është inauguruar Qendra e re e Mjekësisë Familjare.

Në hapje të qendrës të pranishëm ishin kryetari Përparim Rama, drejtori i shëndetësisë Izet Sadiku, drejtori i QKMF-së, Bujar Gashi si dhe shumë pjesëtarë të stafit mjekësor.

Rama tha se në këtë qendër do të jenë aparaturat më moderne.

“Një punë e madhe është bërë nga Drejtoria e Shëndetësisë. Lifti nuk është në funksion ende, të gjitha tjerat janë operative, kemi staf të trajnuar dhe aparate radiologjike më të mirat në vend” – tha ai.

“Kjo është në vazhdën e ndërtimit të qendrave të reja. E kemi një fokus në shërbimin primar në shëndetësi” – shtoi ai.

Drejtori i shëndetësisë Izet Sadiku tha se në këtë qendër do jepen shumë shërbime si radiologji, mamografi, laboratori, stomatologjia dhe kontrolle tjera.

“Kur kemi ardhë kjo qendër ka qenë me vetëm muret e ndërtuara, radiologjia, laboratori, mamografia, stomatologjia janë disa nga shërbimet. Do jetë ndihmë e madhe për këtë pjesë të qytetit” – tha ai.

Sipas Sadikut në këtë qendër mund të marrin shërbime lagjet Nic, Veterniku dhe një pjesë e Hajvalisë.

Projekti për këtë qendër komunës i ka kushtuar 500 mijë euro.