Përplasje në Kuvend mes qeverisë e opozitës për çështjen e gazit

Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj e ka quajtur të pa matur vendimit për të ndërprerë realizimin e projektit për gazin.

“Në kohën kur pritej që në shtator të vitit 2021 të hyjmë në fazën finale të aktiviteteve dhe ku më pas kjo marrëveshje do të sillej për tu ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, Qeveria e Kosovës merr vendimin tejet të pa matur për të ndërprerë realizimin këtij projekti vital për  shtetin e Kosovës” ka deklaruar Selmanaj.

Gjithashtu, Selmani ka thënë se një veprim i tillë nga Qeveria sipas tij është i ngutshëm, i dëmshëm dhe më pasoja të mëdha për vendin.

“Nëse Qeveria e Kosovës nuk e rishqyrton urgjentisht vendimin e saj të gabuar, Kosova mundë të përfundoj si shteti i vetëm në rajon pa qasje në gaz dhe në pozitë tejet të vështirë në rrugën e saj për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar”, është shprehur deputeti i LDK-së.

Në një kundërpërgjigje për Selmanaj, ministri i financave Hekuran Murati ka thënë se LDK-ja ka gjithë ata ekonomistë por e kanë zgjedhur Driton Selmanajn që të diskutojë për gazin.

“Qysh u bo puna që me dalë Driton Selmanaj me na kallxu se çka është gazi, si ndikon në ekonomi dhe si po na ndikojka në subjektivitetin e vendit. Tonë ata ekonomistë i kanë aty, asnjëri nuk del me fol për gazin, kanë shku e kanë gjet Dritonin, këtu është problemi”, ka thënë Murati.

Në këtë diskutim është përfshirë edhe ish kryeministri Ramush Haradinaj.

“Me që ju keni vendosë, a ka ndryshuar gjendja a mundeni me na tregu kur keni me sjell gaz në Kosovë më lirë sesa me 200 milionë, pare falas të Amerikës se ju për kosto e paskeni fjalën, 100 milionë kredi prej të cilave 20 milionë grant falas. Kur keni me ja pru Kosovës këtë mundësi”, tha Haradinaj.

Poashtu Haradinaj ka thënë se sipas tij fondet e Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit të Qeverisë së SHBA-së (MCC), Kurti i ka orientuar në aspektet tjera të energjisë dhe se kryeministri ka vendosur që t’i devijojë ato fonde për aspekte tjera energjetike.

Në kundërpërgjigje për deputetin e  AAK-së, Kurti ka thënë se granti nuk është humb e as nuk ka qenë rrezik të humbet asnjëherë.

“Granti nuk është humb e as nuk ka qenë rrezik të humbet asnjëherë. E kemi qartësu që granti prej 200 milion dollar nuk është ndarë për infrastrukturë të gazit specifikisht me gjithë se ky opsion ka qenë duke u studiuar”, ka deklaruar Kurti.

Gjithashtu ai tha se Qeveria ka vendosur që grantin ta shfrytëzojë edhe për investime tjera dhe se “Qeveria nuk ka vënë kushte as MCC-ja nuk ka dhënë kushte, ky mbetet partneritet mes nesh”.

Pas disa muaj diskutime me përfaqësuesit e MCC-së, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli më 30 shtator ka njoftuar se Qeveria e Kosovës nuk do ta çojë përpara projektin për ndërtimin e infrastrukturës së gazit në Kosovë.

Ajo ka thënë se kanë nevojë për më shumë informata, “për të qenë të sigurt se ndërtimi i infrastrukturës së gazit është opsioni më i mirë për tranzicionin energjetik”