Përparim Rama: Sonte fillon largimi i mbeturinave, sabotimi nga kompania “Pastrimi” nuk kalon

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas gjendjes së krijuar me mbeturina në kryeqytet.

Rama tha se sonte, më 14.05.2025, do të fillojë largimi i mbeturinave.

Ndërmarrja publike “Pastrimi”, sipas Ramës, nuk po përmbush obligimet e saj siç duhet dhe sipas tij kjo po ndodh për shkak të keqmenaxhimit në këtë ndërmarrje.

“Sonte, Kryeqyteti do të fillojë largimin e mbeturinave. Sabotazha nuk kalon! Komuna e Prishtinës po përballet me një sabotim të hapur nga ndërmarrja “Pastrimi”, një kompani publike që, nën drejtimin aktual, është shndërruar në simbol të keqmenaxhimit dhe mungesës së përgjegjësisë” – ka shkruar Rama në Facebook.

Tutje, ai përmendi edhe përfitimet që kjo ndërmarrje publike ka marrë gjatë këtij mandati qeverisës.

“11.5 milionë euro të hyra direkte nga Komuna e Prishtinës, në bazë të detyrimeve kontraktuale, 1.4 milionë euro për blerjen e kamionëve të rinj të pastrimit, 3,800 kontejnerë të rinj, të financuar nga Komuna dhe  400,000 euro në formë subvencionesh shtesë” – theksoi Rama.

Mirëpo, përkundër mbështetjes që Komuna e Prishtinës ka ofruar për ndërmarrjen “Pastrimi”, këto mjete po keqpërdoren, shtoi kryetari Rama.

Përparim Rama javën e kaluar kishte thirrur një seancë të jashtëzakonshme me qëllim të subvencionimit të pagave të punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje në vlerë 300,000 euro.

Mirëpo, kjo seancë dështoi pasi opozita zgjodhi të mos marrë pjesë.

Ndër të tjera, Rama kujtoi edhe refuzimin e ndërmarrjes “Pastrimi” për të nënshkruar kontratën e shërbimeve.

Sipas tij, neglizhenca e ndërmarrjes “Pastrimi”, duke mos ofruar shërbimet për mbledhjen e mbeturinave, është një sabotim që ka arritur “kulmin”.

Të pavërtetat i ka quajtur edhe deklaratat e menaxhmentit të Ndërmarrjes “Pastrimi” se Komuna e Prishtinës i ka borxh 2.7 milionë euro.

Lidhur me situatën e menaxhimit të mbeturinave në kryeqytet, Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë, sot, më 14.05.2025, ka kërkuar dorëheqjen e menaxhnentit të ndërmarrjes publike ‘Pastrimi’.

Zyrtarë të kësaj partie konsiderojnë se kjo ndërmarrje së bashku me Komunën e Prishtinës kanë dështuar që të menaxhojnë gjendjen me grumbullimin e mbeturinave.

Në një konferencë për media, asamblisti i LVV-së, Feim Osmani, ka deklaruar se zanafilla e këtij problemi në komunë ka nisur qysh nga fillimi i qeverisjes së LDK-së në koalicion me PDK-në, në vitin 2021.