Përmes protestës ish-punëtorët kërkojnë pagesën e 20% nga trualli i 'Rilindjes'

Punëtorët e ish-Ndërmarrjes Gazetare Botuese “Rilindja” kanë protestuar para selisë së Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) në Prishtinë.

Ata kundërshtuan mospagesën e 20%-it nga trualli prej 5.5 hektarësh ku ndodhet kompleksi “Rilindja”.

Sipas tyre, ndarja e këtij trualli në tri pjesë dhe kalimi i tij në pronësi të institucioneve të ndryshme, pa përfshirjen e punëtorëve dhe pa respektuar të drejtën e tyre ligjore është padrejtësi.

“Katër vite më parë, pas presionit publik dhe protestave të shumta, Qeveria derdhi 3.3 milionë euro në arën e AKP-së, të destinuara për pagesën e pjesës së tyre nga 20 përqindëshi. AKP, me vonesë dhe pa transparencë të plotë, shpërndau një pjesë të mjeteve, por 1.5 milionë euro mbeten të paprekura”- deklaroi përfaqësuesi i punëtorëve, Besim Kajtazi.

Për këtë, Kajtazi u shpreh se deri më sot ende nuk është bërë e ditur përse këto mjete nuk janë shpërndarë, edhe pse, siç tha ai, ato ishin të destinuara për të kompensuar këta punëtorë.

Ai përmendi edhe çështjen e pronave të gazetës “Rilindja” jashtë vendit, për të cilat, sipas tij, AKP-ja nuk ka ndërmarrë asnjë veprim.

“Një përfaqësues i uzurpuesve, dikur udhëheqës i një departamenti këtu në AKP, na tha se pronën tonë në Tiranë ua ka dhënë Qeveria, por nuk ka saktësuar se cila. Nëse është kështu, atëherë ne të gazetës e duam 20 përqindëshin e asaj prone që ndodhet në qendër të Tiranës”-  u shpreh Kajtazi.

Tutje, ai theksoi se AKP-ja është përgjegjëse për këto prona dhe po heshtë, dhe sipas tyre, nëse nuk zgjidhet kjo çështje, ata do të vazhdojnë me protesta të tjera.

Pas luftës së fundit në Kosovë, NGB “Rilindja” ishte ndërmarrje e përbashkët shoqërore, pra pronë e përbashkët e punëtorëve dhe shtetit, mirëpo pas luftës u vendos nën administrim të AKP-së.

Punonjësit e saj kanë protestuar edhe herë të tjera, pasi pretendojnë se pagesa e 20% të të ardhurave nga privatizimi u takon me ligj punëtorëve të ndërmarrjes, si kompensim për kontributin e tyre.

Në lidhje me protestën dhe për sqarimin e bazës ligjore për ndarjen e truallit të ish-kompleksit “Rilindja” në tri pjesë dhe pretendimet kalimin e tij në pronësi të institucioneve të ndryshme, KALLXO.com ka adresuar pyetje në AKP e në Qeverinë e Kosovës dhe është në pritje të përgjigjeve të tyre.