Përleshje mes protestuesve serbë dhe pjesëtarëve të KFOR-it në Zveçan (VIDEO)

Trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë ndërhyrë ndaj protestuesve serbë, të tubuar para ndërtesës së komunës së Zveçanit.

Protestuesit serbë nuk kanë pranuar të binden ani pse KFOR-i paraprakisht i ka paralajmëruar protestuesit që të shpërndahen.

Ndërkaq, gjatë ndërhyrjes janë dëgjuar shpërthime të shumta e në anën tjetër protestuesit janë parë duke hedhur gjësende në drejtim të trupave ndërkombëtare.

Që nga mëngjesi situata në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq ka qenë e tensionuar. Protestuesit në këto komuna kanë rrethuar objektet komunale me qëllim që të mos lënë kryetarët e zgjedhur të hynë brenda.

Njësitet speciale të Policisë së Kosovës edhe sot kanë vazhduar të jenë prezente në komunat në veri të vendit pas zhvillimeve që nisën të premten.

Po ashtu, sot gjatë ditës, janë sulmuar disa media që po raportojnë nga veriu i vendit.

Fillimisht u dëmtuan veturat e KALLXO.com dhe RTV Dukagjini.

Më vonë u sulmua ekipi i portalit “Periskopi” dhe u dëmtua vetura e “Top-Channel”.

Gjithashtu, vetura e televizionit kosovar Tëvë 1 u djeg nga persona të panjohur.

Edhe xhirimet e televizionit nga Shqipëria, A2 CNN u fshinë me detyrim nga persona të dyshuar.

Fotogaleri – Situata në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok