Ilustrim - Parakalimi i Policisë së Kosovës | Foto: KALLXO.com

Përkujtohen 21 policët e rënë në krye të detyrës

21 heronjtë, pjesëtarë të Policisë së Kosovës të rënë në kryerje të detyrës u nderuan sot përmes një parakalimi në rrugët e Prishtinës.

Në kujtim të tyre u organizua ceremoni memoriale ku morën pjesë personalitete të larta shtetërore e përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Pjesëmarrës në këtë organizim ishin edhe familjarë të 21 policëve heronj të rënë.

Organizimi filloi nga vendosja e kurorave të luleve në lapidarë nga Kryetari i Kuvendi të Kosovës, Glauk Konjufca, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti.

Konjufca në një fjalë rasti tha se 26 korriku është data e heronjve policë që nuk kursyen as jetën e tyre në mbrojtje të sovranitetit të Republikës së Kosovës.

“E gjithë kjo sakrificë u bë për sundimin e ligjit në vendin tonë. Sot këtu i kujtojmë 21 heronjtë tanë që ranë në detyrë, përherë do ju përkulemi me krenari heronjve tanë policë”, tha Konjufca.

Ai tutje shtoi se Policia ka arritur të shndërrohet në institucionin më të besueshëm të vendit tonë.

“Figura e policit është më e afërta me qytetarin. Në rolin tim si ministër i brendshëm e shoh policin si pjesë integrale të shoqërisë“, tha ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Në anën tjetër edhe Drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti tha se vepra e policëve të rënë në krye të detyrës sot nderohet e lartësohet.

“Jemi mbledhur për të nderuar veprën e 21 zyrtarëve policor që dhanë më të shtrenjtën e tyre. Vepra e tyre sot nderohet e lartësohet. Ne çdo ditë kujtojmë kolegët tonë”, tha Mehmeti.

Ai tutje shtoi se përkundër dhembjes që kanë kolegët e 21 policëve të rënë dhe dhembjes që kanë familjarët, ata prapë duhet të ndjehen krenar me veprat e tyre.

Organizimi u mbyllë nga parakalimi i njësiteve të Policisë së Kosovës.