Zyrtari i Policisë së Kosovës në Mitrovicë të Veriut Foto: Naser Fejza/ KALLXO.com

Përfundon kontrolli i Policisë në Leposaviq, sekuestrohen tri vetura

Policia e Kosovës ka përfunduar kontrollin në Leposaviq, gjatë të cilit ka sekuestruar tri vetura, të cilat janë në pronësi të kësaj Komune.

Lajmi për KALLXO.com është konfirmuar nga zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë-Veriu, Veton Elshani.

Kontrolli kishte filluar pas dyshimit se në një objekt në këtë qytet kishte armë.

Mirëpo, nga i gjithë kontrolli që është kryer nuk është gjetur ndonjë armë.

“I kemi gjetur tri vetura të cilat janë pronë e Komunës së Leposaviqit” – tha Elshani.

Tutje, ai shtoi se veturat në fjalë janë sekuestruar.

Sipas Elshanit, ky kontroll nuk lidhet me sulmin në Banjskë të datës 24 shtator, ku një grup terrorist sulmoi Policinë e Kosovës, si pasojë e të cilit mbeti i vrarë një polic.