Martin Berishaj, Foto:Facebook
Përfundon intervistimi i ambasadorit Martin Berishajt, Prokuroria tregon se për çka dyshohet
Ambasadori Martin Berishaj ka përfunduar intervistimin e tij në Prokurorinë Speciale pas disa ore qëndrim brenda.
Prokuroria Speciale përmes një njoftimi për media ka njoftuar se tashmë ka përfunduar intervistimi i ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Berishaj po dyshohet për 3 vepra të ndryshme penale.
“Pas interesimit të mediave, Prokuroria Speciale njofton opinionin publik se ambasadori, i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është intervistuar sot me ftesë të Prokurorisë Speciale, me dyshimet për veprat penale “Shpëlarja e parave”, “Shmangia nga tatimi” dhe “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Prokuroria ka konfirmuar se ftesën për intervistim ambasadorit Berisha ia kishin dërguar kohë më parë, por që ishte shtyrë për shkak të angazhimeve të ambasadorit.
“Po ashtu, ju njoftojmë se ambasadori Martin Berishaj, edhe më herët është ftuar për intervistim, por vet Berisha kishte kërkuar nga Prokuroria Speciale që të shtyhet intervistimi, për shkak të angazhimit të tij si ambasador” – thuhet në reagimin e Prokurorisë Speciale.
Të premten gjatë ditës, avokati i ambasadorit Berishaj, Tomë Gashi kishte konfirmuar intervstimin e tij nga Prokuroria Speciale.
“Martini tashmë ka dhënë deklaratë në PSRK. Deklarata e tij është konfidenciale. Unë për shkak të kësaj situate si avokat i Martinit nuk mund të ju them asgjë për përmbajtjen e kësaj deklarate” – kishte thënë Gashi.
Martin Berishaj shërben si ambasador i Kosovës në Kroaci që nga viti 2021.
Berishaj bëri jehonë në vitin 2022, kur u përfol në mediat sllovene nën dyshimin se ka transferuar rreth 600 mijë euro tek një kompani private në Mal të Zi.
Sipas mediumit slloven, “PlanetTV”, kompania private është në pronësi të tij. Pavarësisht thirrjeve për shkarkim të tij, një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe vetë Berisha ka mohuar akuzat për përfshirje në skandalin financiar.
Vitet e kaluara shkarkimi i Berishajt u kërkua edhe me protesta para Qeverisë së Kosovës, mirëpo nga drejtuesit e MPJD-së nuk pati lëkundje besimi në të, përkundrazi lajmi për “skandalin” u tha se nuk është i vërtetë.
“Ambasadori nuk mund të tërhiqet apo shkarkohet pa pasur ndonjë të vërtetë. Përkundrazi disa media atje janë duke e përgënjeshtruar atë medium. Ambasadori Berishaj e gëzon besimin tonë dhe do të përfaqësojë atje” – pati deklaruar ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla më 13.05.2022.
Pas akuzave për aferë, Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) kishte nisur procedurat për verifikimin e pasurisë së tij.
Berishaj kishte raportuar në AKK se ka pasuri të paluajtshme prej 382 mijë euro, përfshirë këtu dy banesa, një shtëpi dhe një tokë.
Ai ka deklaruar se ka dy banesa në vlerë 230 mijë euro.
Ambasadori ka deklaruar se banesën e parë me sipërfaqe 92 m2 e ka blerë në vitin 2001 me të hyra dhe kursime të përbashkëta familjare dhe atë e ka në pronësi të përbashkët.
Sipas raportit të AKK-së, banesën e dytë me të njëjtën sipërfaqe, Berishaj e ka blerë në 2006 me kursime për vetëm 50 mijë euro.
Berishaj gjithashtu ka një shtëpi, të cilën e ka deklaruar si trashëgimi nga prindërit e cila ka vlerën 72 mijë euro. Sipërfaqja e kësaj shtëpie, të cilën e ka në pronësi të përbashkët, është 170 m2.
KALLXO.com përmes kërkesës për qasje në dokumente publike ka arritur të sigurojë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të dhënat mbi shpenzimet që janë bërë gjatë vitit 2023 për këtë diplomat.
Sipas raporteve të MPJD-së, vitin e kaluar Berishajt i është paguar qiraja vjetore e banesës në Zagreb në shumën prej 24 mijë euro, ose 2 mijë euro për muaj.
Bazuar në hulumtimin në internet, përfshirë atë në ueb-faqen që merret me udhëtimet dhe jetesën në Kroaci, “Inspired by Croatia”, marrja me qira e një apartamenti në qendër të Zagrebit zakonisht kushton 600 euro në muaj për një apartament me një dhomë gjumi në një ndërtesë të vjetër pa ashensor.
Por, sipas së njëjtës faqe, apartamentet më të mëdha dhe më të bukura në Zagreb kushtojnë diku midis 800 dhe 1200 euro në muaj. Paga mujore e Berishajt për vitin 2023 ishte 2 mijë e 746 euro e 71 centë.
Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Byroja Kroate e Statistikave, paga mesatare në Kroaci që nga shtatori 2023 është 1,141 euro në muaj.
Për shpenzimet e sigurimit shëndetësor, shteti i Kosovës ka paguar 4 mijë e 803 euro në vitin 2023.
Ndërkaq për telefoni mobile janë paguar 1 mijë e 318 euro e 4 centë.
Bazuar në të dhënat nga MPJD, drekat zyrtare të ambasadorit dhe stafit diplomatik përgjatë vitit 2023 kanë kushtuar 5 mijë e 214 euro e 55 centë. Kurse për derivate të misionit janë paguar 5 mijë e 254 euro 48 centë