Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gërvalla: Nuk ka asnjë indikacion që të shkarkohet ambasadori Berishaj

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në një konferencë për media ka thënë se tashmë ka biseduar me ambasadorin Martin Berishaj në lidhje me raportimin e një mediumi slloven për përfshirjen e tij në një skandal financiar.

Gjithashtu Gërvalla ka deklaruar që ambasadori Berishaj ka dërguar në ministri një deklaratë disa faqeshe në lidhje me këtë raportim.

Tutje ministrja ka thënë se tashmë ka biseduar me autoritetet e vendit ku është bërë raportimi dhe ende nuk ka asnjë indikacion që të shkarkohet Berishaj.

“E kam një deklaratë të ambasadorit Berishaj, disa faqe. Ambasadori ka qenë në ministri dhe kemi biseduar. Kam biseduar me autoritetet e disa shteteve dhe deri më tash nuk ka asnjë indikacion për diçka të vërtetë në artikullin e publikuar për të. Ne më shumë e shohim si kampanjë të një mediumi. Ambasadori nuk mund të tërhiqet apo shkarkohet pa pasur ndonjë të vërtetë. Përkundrazi disa media atje janë duke e përgënjeshtruar atë medium. Ambasadori Berishaj e gëzon besimin tonë dhe do të përfaqësojë atje”, ka deklaruar Gërvalla.

Mediumi slloven “Planet TV” raportoi për aferën financiare të kryetarit të partisë Lëvizja për Liri, Robert Golob, e të cilën e ka titulluan si skandal të madh financiar.

Sipas këtij mediumi, ai është nën hetim financiar ndërkombëtar për shkak të dërgesave nga dega serbe e GEN-I (furnizuesi energjetik slloven), të cilat i kanë shkuar kompanisë private MB Consulting në Mal të Zi.

Kompania MB Consulting e Berishajt supozohet se ka marrë 600 mijë euro, të cilat janë tërhequr vazhdimisht në para të gatshme. Berishaj, supozohet t’ia kthejë këto para Golobit, dhe ky i fundit duhet t’i investojë këto para në një nga fondet italiane që u siguron përdoruesve anonimitet.

Martin Berishaj është emëruar ambasador i Kosovës në Kroaci në vitin 2021.

Agjencia Kundër Korrupsionit nis verifikimin e pasurisë së ambasadorit Martin Berishaj