Martin Berishaj, Foto:Facebook

Agjencia Kundër Korrupsionit nis verifikimin e pasurisë së ambasadorit Martin Berishaj

Agjencia Kundër Korrupsionit ka nisur procedurat për verifikimin e pasurisë së ambasadorit Martin Berishaj.

Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com drejtori i AKK-së, Ylli Buleshkaj.

“Po, sot kemi nisur procedurat fillestare të verifikimit të pasurisë së Martin Berishaj, bazuar në raportimet e mediave që janë bërë ditëve të fundit”, ka thënë Buleshkaj.

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është diskutuar në mediat sllovene nën dyshimin se ka transferuar një shumë të parave tek një kompani private në Mal të Zi.

Sipas mediumit slloven, kompania private është në pronësi të Martin Berishajt.

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka mohuar akuzat për përfshirje në skandalin financiar që u zbulua në Slloveni, ku mediat sllovene raportuan se ai i ka ka bartur para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi tek politikani slloven.

Zyra e Presidentes së Kosovës ka njoftuar se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, një raport me shkrim për artikullin e publikuar në një media në Slloveni.

Po ashtu është kërkuar që ai të vijë në Kosovë për të sqaruar situatën.

Martin Berishaj është emëruar ambasador i Kosovës në Kroaci në vitin 2021.