Familja e Agonis Tetaj nuk shkoi në seancën e sotme, gjyqtarja tregon arsyet
Ka dështuar të mbahet seanca e parë pas rigjykimit në çështjen e vrasjes së Agonis Tetajt, ndaj të akuzuarit për vrasje Shaban Gogajt dhe të akuzuarit tjetër për armëmbajtje pa leje, Isuf Cacajt.
Seanca ka dështuar të mbahet për shkak se i akuzuari Isuf Caca nuk kishte angazhuar avokat.
Ndonëse seanca nuk u mbajt dhe u shty për në korrik, të pranishëm në gjykatore nuk ishin familjarët e të vrarit Agonis Tetaj.
Sipas avokatit të familjes Tetaj, arsyeja për mosparaqitje së tyre në gjykatë është se familjarët e të dëmtuarit nuk kanë besim në trupin gjykues.
Trupi gjykues është në përbërje nga kryetarja e trupit gjykues Violeta Husaj Rugova dhe anëtarët Shaqë Curri dhe Sami Sharragju.
Sipas familjes, trupi gjykues herën e parë ka vendosur “duke qenë të ndikuar”.
Gjyqtarja e Rastit Violeta Husaj-Rugova lidhur me këtë çështje, kishte kërkuar nga Kryetari i Gjykatës Themelore të Pejës që të përjashtohet gjykimi i kësaj çështje.
“Ndërsa përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Berat Tmava me parashtresë iu ka drejtuar gjykatë, e ka njoftuar që nuk do të marrin pjesë në shqyrtim as të dëmtuarit Isuf Tetaj e Nurie Tetaj, arsyeja është se nuk kanë besim në trupin gjykues, pasi që konsiderojnë se trupi gjykues herën e parë ka vendosur në mënyrë të ndikuar. Pas marrjes së kësaj shkrese, duke pas parasysh pakënaqësinë, unë e kam njoftuar kryetarin e Gjykatës, kam kërkuar që të më përjashtoj nga kjo çështje pasi që në vazhdimësi pala e dëmtuar ka shfaqur pakënaqësi lidhur me këtë çështje” – tha Husaj Rugova.
Gjyqtarja Violeta Husaj Rugova ka konfirmuar se kërkesa e saj është refuzuar nga kryetari i gjykatës së Pejës.
Ndërpritet gjykimi për vrasjen e Agonis Tetajt, për shkak të mungesës së avokatit të Isuf Cacajt
Dështimi për fillim të këtij procesit gjyqësor, në rigjykim, erdhi pasi që Cacaj nuk kishte autorizua mbrojtës për tu përfaqësuar në gjykatë.
Sipas kodit të procedurës penale, mbrojta është e detyrueshme për veprat penale të dënueshme me mbi 5 vite dënim me burgim.
Isuf Cacaj për armëmbajtës pa leje nga Gjykata Themelorë e Pejës ishte dënuar me 2 mijë euro gjobë. Më këtë vendim nuk ishte pajtuar gjykata e Apelit, duke marrë vendim që rastin ta kthej përsëri në rigjykim.
Në lidhje me këtë rast ka pasur reagime të shumta në publik, kur prokurori Agron Uka e kishte ricilësuar akuzën në seancën e fundit gjyqësore, nga vrasja e rëndë në vrasje nga pakujdesia.
Aktakuza për këtë rast ishte ngritur nga Prokuroria e Pejës, përkatësisht prokurorja Sahide Gashi, e cila ishte përjashtuar nga ky rast dhe rasti ishte bartur për përfaqësim në Prokurorinë e Gjilanit.
Rasti mori vëmendjen e opinionit publik kur babai i të ndjerit, Isuf Tetaj, publikoi pamjet e momenteve tragjike ku djali i tij, Agonis Tetaj mbeti i vdekur në lokalin ku po punonte.
Pamjet ishin publikuar nga babai i të ndjerit pas ricilësimit të veprës penale nga “vrasje e rëndë” në “vrasje nga pakujdesia”.
Për këtë rast pastaj dolën edhe detaje te reja.
Prokurori i këtij rasti Agron Uka si dhe Besnik Berisha, avokati mbrojtës Shaban Gogajt, i akuzuar në këtë rast, u përfshinë në një situatë kontraverse, pasi u dëshmua me fotografi që të dy ishin takuar në një restorant në Gjilan.
Detaje të tjera lidhur me këtë rast mund ti ndiqni duke klikuar në këtë LINK