Ndërpritet gjykimi për vrasjen e Agonis Tetajt, për shkak të mungesës së avokatit të Isuf Cacajt
10:46 – Isuf Cacaj: Nuk më duhet avokati, nëse është e domosdoshme, ma sillni një
Isuf Cacaj i akuzuar për armëmbajtje pa lejë, që po gjykohet së bashku me Shaban Gogajn në rastin e vrasjes së Agonis Tetajt, duke iu përgjigjukut Gjykatës për faktin se nuk ka një avokat që e përfaqëson, tha se atij nuk i duhet avokati.
“Nëse është e domosdoshme, birma ni avokat, thirrni ju këdo. Mu nuk më duhet avokati, që është puna e procedurës. Se kam dite qe është hi me ligj, se e kisha angazhu më herët” – ka thënë Cacaj në gjykatë.
Seanca është ndërprerë për shkak të mungesës së avokatit mbrojtës të Isuf Cacajt.
Seancat e radhës për këtë rast janë caktuar të mbahen me 14 edhe 28 korrik të këtij viti.
10:35 – Ndërpritet seanca gjyqësore ndaj Shaban Gogajt e Isuf Cacajt
Është ndërprerë shqyrtimi gjyqësor ndaj Shaban Gogajt dhe Isuf Cacajt në seancën e parë të rigjykimit.
Gjykimi është ndërprerë për shkak të mungesës së avokatit mbrojtës të Isuf Cacajt.
Isuf Cacaj akuzohet për armëmbajtje pa leje. Ndërsa Shaban Gogaj akuzohet për vrasjen e Agonis Tetajt.
Seancat e radhës për këtë rast janë caktuar të mbahen me 14 edhe 28 korrik të këtij viti.
10:10 Shaban Gogaj paraqitet në Gjykatë, nis rigjykimi ndaj tij
I akuzuari Shaban Gogaj së bashku me avokatin e tij Besnik Berisha kanë mbërritur në sallën e Gjykatës Themelore në Pejë ku për pak pritet të nis seanca gjyqësore.
I pranishëm në sallë është edhe prokurori i rastit.
Rasti është kthyer në rigjykim.
10:00 Sot nis rigjykimi ndaj Shaban Gogajt, i akuzuar për vrasjen e Agonis Tetajt
Pas vendimit të fundit të gjykatës së Apelit që rastin e vrasjes së Agonis Tetajt ta kthej në pikën zero, Gjykata e Pejës ka caktuar seancës gjyqësore për fillimin e rigjykimit më 22 maj.
Pas pak minutave pritet që të nis procesi gjyqësor ndaj Shaban Gogajt.
Tetaj ishte vrarë në vitin 2018 në lokalin “Gogaj Ag” në Deçan, ku ai ishte punëtor. Për vrasjen e tij po akuzohet Shaban Gogaj, i cili është i biri i pronarit të kompanisë.
Lidhur me këtë rast Shaban Gogaj në dhjetor të vitit të kaluar nga gjykata e shkallës së parë është gjetur fajtor, ku për vrasje nga pakujdesia Gogajt gjykata në Pejë i shqiptoi dënim me burg në kohëzgjatje prej 5 vite, kurse për armëmbajtje dënim me 3 vite burgim. Si dënim unik Gogajt ju kishte shqiptuar dënimi me kohëzgjatje prej 7 vite e gjashtë muaj.
Gjykata e Apelit nuk ishte pajtuar me vendimin e gjykatës së shkallës së parë, kështu duke vendosur që rastin ta kthente për t’u gjykuar përsëri. Detaje nga arsyetimit i aktvendimi të gjykatës së Apelit.
Gjykata e Pejës në shpalljen e vendimit për vrasjen e Agonis Tetajt, kishte bërë rikualifikimin e veprës penale, nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia.
Gogaj me 5 vjet burgim është dënuar për vrasje nga pakujdesia dhe 3 vjet burgim për armëmbajtje pa leje.
Kujtojmë, se ky rast kishte nxitur reagime të shumta kur prokurori Agron Uka e kishte ri cilësuar akuzën në seancën e fundit gjyqësore, nga vrasja e rëndë në vrasje nga pakujdesia.
Aktakuza për këtë rast ishte ngritur nga Prokuroria e Pejës, përkatësisht prokurorja Sahide Gashi, e cila ishte përjashtuar nga ky rast dhe rasti ishte bartur për përfaqësim në Prokurorinë e Gjilanit.
Rasti mori vëmendjen e opinionit publik kur babai i të ndjerit, Isuf Tetaj, publikoi pamjet e momenteve tragjike ku djali i tij, Agonis Tetaj mbeti i vdekur në lokalin ku po punonte.
Pamjet ishin publikuar nga babai i të ndjerit pas ricilësimit të veprës penale nga “vrasje e rëndë” në “vrasje nga pakujdesia”.
Prokurori i këtij rasti Agron Uka si dhe Besnik Berisha, avokati mbrojtës Shaban Gogajt, i akuzuar në këtë rast, u përfshinë në një situatë kontraverse, pasi u dëshmua me fotografi që të dy ishin takuar në një restorant në Gjilan.
Kjo fotografi u publikua në KALLXO.com disa ditë pas rikualifkimit të akuzës.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kishte kërkuar gjithashtu edhe që Gjykata e Pejës të mos e shpallë të përfunduar shqyrtimin, por të marrë prova të reja për zbardhjen e rastit.
Në njërën anë, kryeprokurori kishte kërkuar të merreshin prova të reja, në anën tjetër gjykimi kishte përfunduar me pranimin e fajësisë nga Shaban Gogaj për akuzën e re të ricilësuar nga prokurori Uka.
Në ditën e shpalljes së vendimit, Gjykata e Pejës në trupin gjykues të kryesuar nga gjykatësja Violeta Husaj-Rugova kishte vendosur të rihapë shqyrtimin, duke revokuar edhe vendimin për pranimin e fajësisë së Gogajt.
Gjykata po ashtu i kishte dhënë afat prokurorisë që të paraqes provat e reja.
Vendimin për rihapje, avokati Berisha e konsideroi të kundërligjshëm duke thënë se kjo do të lë njollë në sistemin e drejtësisë.
Gjykimi pastaj vazhdoi me prokurorin e ri, Isuf Sadiku, i cili ndryshoi aktakuzën duke qëndruar pranë akuzës fillestare asaj për vrasje të rëndë të Agonis Tetajt.
Me rastin e procedimit të dëshmitarëve, gjykata ka marrë një vendim që përjashtoi mbrojtësin Besnik Berisha nga e drejta për mbrojtje e Shaban Gogajt.
Prej momentit kur Berisha u përjashtua nga e drejta e mbrojtjes, gjykimi ishte përshkruar me zvarritje të shumta.
Detaje të tjera lidhur me këtë rast mund ti ndiqni duke klikuar në këtë LINK