Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

PDK: Vendimi i PZAP-së për Hanin e Elezit - i paargumentuar, do të ankohemi në Gjykatën Supreme

Partia Demokratike e Kosovës po e konsideron si të jashtëligjshëm vendimin e PZAP-së për anulim të zgjedhjeve në komunën e Hanit të Elezit.

Zëdhënësi i kësaj partie, Faton Abdullahu, në një prononcim per KALLXO.com tha se PDK do të ankohet në Gjykatën Supreme lidhur me këtë vendim.

Ai theksoi që vendimi është pas afatit dhe i jashtëligjshëm dhe se nuk ka pasur ankesa nga askush prej qytetarëve apo vëzhguesve.

“Ankesa përveçse është e pasafatshme, nuk ka pasur asnjë ankesë të asnjë qytetari, të asnjë vëzhguesi dhe komisioneri. Në bazë të të dhënave nga KQZ në librat e votimit nuk ka pasur asnjë vërejtje”, tha ai.

Abdullahu potencoi se pretendimet e Rufki Sumës për kërcënime janë të pabaza dhe të pavërteta.

“Pretendimet e parashtruesit, Rufki Suma, se në qendrat e votimit të cekura në ankesë, iu është bërë presion votuesve për të votuar PDK-në, jo vetëm se janë të pabaza por edhe janë krejtësisht të pavërteta. Pretendimet për presion ndaj votuesve nuk kanë asnjë mbështetje në prova apo dëshmitarë”, shtoi tutje ai.

Abdullahu theksoi se dhoma operative në kuadër të KQZ-së, ku bën pjesë Policia, Prokuroria dhe zyrtari i KQZ-së, nuk ka pranuar asnjë informacion që nga mëngjesi deri në mbyllje të vendvotimeve.

Sipas tij, brenda afatit ligjor do të ankohen në Gjykatën Supreme.

“Partia Demokratike e Kosovës do të ankimojë brenda afatit ligjor vendimin në Gjykatën Supreme”, theksoi ai.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka anuluar të gjitha votat për kryetar të Komunës së Hanit të Elezit.

Këtë vendim PZAP e ka marrë pas ankesës së kryetarit aktual, kandidatit të pavarur Rufki Suma.

Suma kishte thënë se sipas vëzhguesve të subjektit të tij të pavarur kandidati për kryetar nga radhët e PDK-së, Mehmet Ballazhi dhe kandidatët për kuvend komunal të këtij subjekti kishin vizituar të gjitha vendvotimet në Han të Elezit dhe disa lokacione tjera duke i takuar qytetarët dhe duke i kërkuar që të votojnë numrin 177 dhe numrat e kandidatëve për kuvend komunal.

Në arsyetimin e PZAP-së thuhet se zgjedhjet janë anuluar “për shkak të minimit të integritetit të zgjedhjeve si rezultat i presionit dhe organizimit me qëllim të përfitimit të mbështetjes së votuesve”, thuhet në vendimin e PZAP.

Anulohen zgjedhjet për kryetar të Komunës në Han të Elezit (DOKUMENT)

www.kallxo.com